Seanca për president me shumicë vetëm të kualifikuar, VV “obligon” opozitën të vinë në Kuvend në ora 14:00 - NACIONALE

Seanca për president me shumicë vetëm të kualifikuar, VV “obligon” opozitën të vinë në Kuvend në ora 14:00

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Me shumicë të kualifikuar Vetëvendosja e nisi procesin e votimit dhe zgjedhjes së presidentit të Kosovës; proces ky i kodifikuar kushtetuetshmërisht që mund të nis vetëm me vota në kuti të dy-të-tretatave “të të gjithë” deputetëve të Kosovës.

Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Kosovës, e shtyu seancën për në ora 14:00 për çka tha se “i presim të gjithë deputetët” të marrin pjesë, dhe se "janë të obliguar."

Në seancën e thirrur për ora 10:00 Vetëvendosja nuk e vazhdoi votimin antikushtetues që e nisi në orët e mbrëma të së hënës.

Arbërie Nagavci, shefe të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes tha se “ju e patë që e ndërpremë seancën kur nuk ishin votat në kuti.”

Megjithatë, Vetëvendosja ka dhënë indikacione, për shumëkënd “të frikshme,” për proces fund e krye antikushtetues, për çka ka pasur reagime të ashpra publike deri edhe në konstatime se po synohet “puç kushtetues.”

Egzon Azemi i Vetëvendosjes, tha në T7 se janë “të pabaza” konstatimet për antikushtetuetshmërinë e procesit.

“A është apo jo kushtetuese është vetëm një institucion që e ka për obligim dhe në mandat ta interpretojë – ajo është Gjykata Kushtetuese. Deklarimet tjera konsideroj që janë krejtësisht të pabaza”, tha ai.

Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kërkoi Albin Kurtit të Vetëvendosjes të heq dorë nga synimi kundërkushtetues për të zgjedhur president me vetëm shumicë të kualifikuar.

Ai tha se nëse “hyhet në këto rrugë të rrezikshme” opozita do t’i drejtohet sovranit, përkatësisht qytetarit, “dhe mund të ketë përshkallëzime të nevojshme.”

“Dje kanë bë shkelje kushtetuese, është e ngjashme me suprimimin e kushtetutës, është ngjarje shunë e rrezikshme dhe drejtim i rrezikshëm dhe i bëjë thirrje që më të vërtetë të ndalen. Nëse shkojmë këtë rrugë të rrezikshme nuk na lënë rrugë tjetër që t’u drejtohemi sovranit dhe të mobilizohemi në mbrojtje të kushtetutës. Sovrani e ka bë këltë edhe më herët. Ose përmes protestave ose përshkallëzimeve që i konsideron të nevojshme. Po u bëj thirrje në ndërgjegje të mos e bëjnë.

Edhe zonjave po u bëj thirrje edhe ët gjithëve që kanë logjikë, të ndalen dhe të mos vazhdojnë pjesë e këtij turpi. Shkelja e kushtetutës në këtë mënyrë i mbulon turpi, edhe përjetë, edhe ska lidhje kush janë e çka kanë bë deri në këtë moment. Nëse bëhen pjesë e këtij dhunimi dhe rreziku, pasojat do të jenë të përjetshme për të gjithë ata që bëjnë pjesë,” tha ai.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka vlerësuar se VV-ja po dëshiron zgjedhjen e presidentit jashtë rregullave demokratike.

Ajo ka bërë me dije se kjo është rrëshqitje e rrezikshme drejt një forme të grushtshtetit.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se Kosova meriton ligj dhe respektim të demokracisë.

“Kur institucionet kapen, ligjet anashkalohen dhe vendimet merren jashtë rregullave demokratike, kjo nuk është më qeverisje është rrëshqitje e rrezikshme drejt një forme të grushtshtetit. Kosova meriton rend, ligj dhe respekt për demokracinë, jo improvizim dhe kapje të shtetit”, ka shkruar ajo.

Lulzim Pezi, drejtori i KIPRED, krejt situatën në Kuvendin e Kosovës me nisjen e procesit dhe votimit antikushtetues për president, tha se, qëllimi i Vetëvendosjes është edhe “devalvimi i institucionit të Presidentit.”

“Me e keqja eshte se krejte kjo po arrihet në kurriz të integritetit shtetëror dhe institucional të Kosovës,” tha ai.

Lajme të ngjashme