Sarrazin merr "premtime dhe garanci" nga Vuçiqi se nuk synon "pushtim e as sulm" ndaj Kosovës - NACIONALE

Sarrazin merr "premtime dhe garanci" nga Vuçiqi se nuk synon "pushtim e as sulm" ndaj Kosovës

2 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Duke mos e nënshkruar Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit, Serbia dëshiron “të lë hapur derën për pushtim” të Kosovës.

Këtë pohim të dhënë kohëve të fundit nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gazeta Nacionale ia shtroi emisarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Sa seriozisht i merrni këto paralajmërime të Kryeministrit?”, i thamë diplomatit gjerman.

Sarrazin prerazi tha se “nuk di gjë të ketë indikacione për pushtim” të Kosovës nga Serbia, teksa shtoi se vetëm javën e kaluar “kam marrë premtime dhe risigurime” nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se “nuk do të merr vendime të këtilla”.

Por, u kujdes të elbaronte ai, “nëse më pyetni a i besoj ose jo, këtu nuk ju përgjigjem”.

Nuk di gjë për indikacione për pushtim të planifikuar të Kosovës nga Serbia. Mund t’ju them që në takimet e mia të fundit në Beograd javën e kaluar më ka ri-siguruar Presidenti Vuçiq që të mos marrë vendime të këtilla, tash ju mund të shtroni pyetjen ‘a i besohet atij ose jo’ dhe nëse ma shtroni këtë pyetje une s’do t’ju përgjigjesha sepse të gjithë duhet të vendosin për veten e tyre se çfarë të besojnë. Por, s’kemi indikacione për këtë (pushtim)”, tha Sarrazin në pyetjen e Nacionales.

Dhe ju duhet të dini që prej Banjskës, sulmit terrorist, ne kemi rritur bashkëpunimin e sigurisë nga ana gjermane dhe do të vinë edhe rreth 280 ushtarë gjermanë; që do të jenë të angazhuar mu bash në këtë çështje sigurie dhe ka çështje të tjera në këtë”.

Kështu që, po, Gjermania është e përfshirë në këtë çështjen e sigurisë (së Kosovës) dhe ne i marrim seriozisht kërcënimet e sigurisë që edhe janë nënvizuar me sulmin në Banjskë, por për këtë që ju ngritët unë s’di që kemi indikacione dhe kam premtime të qarta nga Beogradi që nuk do ta bëjnë”, vazhdoi ai.

Për atë se a është miratimi i draft-Statutit të Asociacionit para votimit në instancën finale të Këshillit të Evropës, i.e, në Këshillin e Ministrave, Sarrazin na tha se “Gjermania ende nuk ka marrë pozicion të qartë për këtë”.

Por, çka e la të qartë dhe të prerë ishte që “me moszgjidhje të Asociacioni s’ka BE dhe NATO për Kosovën”.

Ju mund të mbështeteni te ne që Gjermania kurrë s’do të mbështesë asnjë model të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës, që do të krijonte situata ku shteti s’do të mundte të kryente punë, që do të krijonte veto që do të ishin problematike në veçanti kur një ditë të jeni anëtare të BE-së”.

Por, moszgjidhja e Asociacionit nuk do t’ju çojë në BE dhe NATO”, përfundoi ai.

Sarrazin e lidhi edhe pikëpamjen e “shumë vendeve të BE-së” për Kosovën në lidhje me sjelljen e saj në dialogun e Brukselit.

Në dritën e kësaj, tha ai, “të qënit ‘burim i lajmeve të mira’ sigurisht isht se do të hap mundësi të mëdh”.

Mendoj se është shumë e qartë që qëndrimi i shumë vendeve të BE-së në lidhje me pikëpamjen e tyre për Kosovën është e lidhur me ‘lajme të mira, lajme të këqija’ nga dialogu dhe të qënit burim i ‘lajmeve të mira’ sigurisht se do të hap mundësi të mëdha dhe sigurisht se nuk është tranzaksionale”.

Nëse ju dukeni ‘djali i mirë’ nganjëherë ju sjell herët apo vonë sukses që ju po e kërkoni qe sa-e-sa kohë; dhe ju nuk mund të jeni “djali i mirë” thjesht duke e kërkuar këtë rezultat që ju e doni. Sigurisht duke mos humbur kohë për të rregulluar gjëra, për të kryer gjërat, që të shkohet rrugës për Evropë duke sjellur rezultate; e jo të vareni a pajtohet ose jo Serbia në të gjitha pikat; por të bëni detyrat e juja të shtëpisë”, tha mes tjerash ai.

Lajme të ngjashme