Sali Berisha u akuzua për lidhje me Damir Fazlliçin, kush është sekseri famëkeq boshnjak? - NACIONALE

Sali Berisha u akuzua për lidhje me Damir Fazlliçin, kush është sekseri famëkeq boshnjak?

3 vjet më parë

nga Gazeta Nacionale

Një lajm aspak të mirë e mori sot Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Nga kjo e premte, përveç në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ish-presidentit shqiptar i ndalohet hyrja edhe në Britani.

Vendimi, siç njoftoi vetë Berisha, iu komunikua nëpërmjet një letre nga Ministria e Brendshme britanike. Në letrën e britanikëve, Berisha akuzohet për lidhje “të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë”, të cilët paraqesin rrezik për sigurinë publike në Shqipëri e Mbretëri të Brendshme.

Në lidhje me korrupsionin e pasurimin e Berishës, në letër përmendet Damir Fazlliç, ish-këshilltar për zgjedhje i kreut të PD-së, e që dyshohet të jenë pjesë e mafisë së energjisë elektrike në Ballkan.

Kush është Damir Fazlliç, sekseri boshnjak?

Damir Fazlliç, me prejardhje nga Bosnja, është biznesmen kontravers, i dyshuar për trafikant mbetjesh bërthamore, pastrim parash, e madje edhe shpesh është përfolur për spiunazh për CIA-n amerikane. Por, ai shpesh është quajtur edhe sekser.

Fotografinë e një tigri me gojën e mbushur me gjak e mban në profilin e tij në Twitter. Një pamje që ngjall shumë dyshime, ashtu siç është e dyshimtë e gjithë veprimtaria e vetë biznesmenit të madh në fushën e energjetikës, Damir Fazlliç.

Biznesmeni boshnjak, bashkë me kompaninë EFT në pronësi të Vuk Hamovic, dhe biznesmenin tjetër, Vojin Lazarevic, janë trekëndëshi për të cilët kanë raportuar media vendore e ndërkombëtare. Ata janë pjesë e asaj që shumëkush e vlerëson si “mafi e energjisë elektrike” të udhëhequr nga Lazarevic dhe Fazllic.

Në një intervistë të rrallë për Balkan Insight, tregohet se biznesmeni boshnjak ka lidhje me disa nga politikanët dhe biznesmenët më të fuqishëm në Ballkan. Madje, Fazlliç ka punuar edhe në një numër të madh fushatash elektorale, duke u përmendur edhe si kryeministër i mundshëm i Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në intervistën e tij të parë që nga tetori 2008, biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç u përgjigjet thashethemeve dhe aludimeve për aktivitete kriminale, të cilat kanë shoqëruar të gjithë karrierën e tij, zbulon se si u bë një figurë me ndikim në Ballkan dhe më gjerë, si dhe flet për planet e tij madhështore për të ardhmen.

“Fazlliç krenohet për 15 kompanitë e tij nëpër botë, por ai është gjithashtu i zellshëm në fshehjen e marrëveshjeve të tij të biznesit nën sekretin e ofruar nga parajsat fiskale. BIRN arriti të gjurmojë disa nga këto kompani në Britaninë e Madhe, Shqipëri, Qipro dhe SHBA, ku shumica e së cilave dukej se qenë inaktive dhe asnjëra nuk po gjeneronte fitime të mëdha”, shkruante vite më parë Balkan Insight.

Kujtojmë që Damir Fazlliç shpeshherë është fotografuar edhe në Shqipëri, madje është përfolur për një projekt të mundshëm energjetik në ministrinë e drejtuar nga Belinda Balluku.

Në fakt, në shkrimin e Balkan Insight përmendeshin edhe udhëtimet e shpeshta të Fazlliç në Shqipëri, duke theksuar se gjersa ai punonte për ish-kryeministrin Berisha, jetoi për muaj në hotelin më të shtrejntë të Tiranës, Sheraton.

Ndërmjet viteve 2005-2008, Fazlliç udhëtoi disa herë drejt Shqipërisë me avion privat, udhëtime që i kushtuan mijëra euro.

Berisha i mohon akuzat

Kreu i PD-së, që i është rikthyer politikës, i ka mohuar akuzat për korrupsion dhe pasurim të jashtëligjshëm. Madje, Berisha në një status të gjatë ka folur edhe për Fazlliçin.

Ai shkroi se nuk ka pasur asnjëherë njohuri për ndonjë padi ndaj Fazlliçit për aktivitet kriminal.

“Nuk kam pasur kurrë dijeni, as sot nuk di që ai të ketë qenë ndonjëherë objekt padish për aktivitet kriminal, në MB ku ai është qytetar, apo në ndonjë vend tjetër. Ai ka qenë dhe është një investitor, që ka sjellë kapital në Shqipëri nëpërmjet bankave dhe në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar, siç kanë dëshmuar verifikimet e organeve zyrtare të fushës. Prokuroria e Ina Ramës, për mendimin tim për motive politike, çka unë e denocova, ngriti dhe zhvilloi hetime ndaj tij në përfundim të të cilave nuk provoi dot asnjë shkelje të z. Fazlliç. Dhe ju rikujtoj se, ato për të cilën e hetonin, ishin jo tendera, prokurime të drejtpërdrejta apo para publike, por blerje e një toke private, me fonde gjithashtu private”, shkroi Berisha në Facebook.

Tutje, ai tha se Fazlliç nuk ka përfituar asnjë para nga qeveria shqiptare gjersa ishte kryeministër i Shqipërisë.

“Damir Fazlliç nuk ka përfituar kurrë, qoftë dhe një qindarkë të vetme nga unë apo qeveria ime. Ai ka vazhduar biznesin dhe investimet gjatë qeverisë Rama, dhe nëse do të kishte pasur pengim të hetimit ndaj tij gjatë qeverisë sime, ka pasur 10 vjet kohë që të hetonte Prokuroria gjatë qeverisë Rama, por asgjë e tillë nuk ka ndodhur”, deklaroi Berisha.

Kujtojmë që Berisha së fundmi është rizgjedhur kryetar i PD-së.

Lajme të ngjashme