Sa do të jetë koeficienti i ambasadorit Martin Berishaj? Paga e tij, jopërrallore - NACIONALE

Sa do të jetë koeficienti i ambasadorit Martin Berishaj? Paga e tij, jopërrallore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Më në fund, vlera e koeficientit të pagave është bërë publik. I mbajtur sekret për javë të tëra, vlera e koeficientit është 105 euro. Ishte vetë kryeministri Albin Kurti që e shpalosi atë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Pas kësaj “shpallje”, Trim Syla nga PDK-ja, në performancën e tij gati të përditshme, ka ngritur një pyetje: sa është koeficienti i Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci?

Sipas Ligjit për Pagat në sektorin public, Martin Berishaj do të marr pagë të majme si ambasador i Kosovës në Kroaci. I shumë përfoluri për përfshirje në një skandal financiar në Slloveni, do të ketë pagën me katër shifra.

Pse?

Në bazë të Ligjit për Paga, koeficienti i ambasadorëve të Kosovës është paraparë të jetë 12.8. E kur kjo shifër shumëzohet me vlerën aktuale të koeficientit, atëherë e kuptojmë edhe pagën e z. Berishajt. 1, 344 euro është paga bruto e z. Berishajt. Një mijë e treqind e katërdhjetë e katër euro.

Martin Berishaj, që ka disa kallëzime penale në Kosovë, do të përfitojë mbi 16 mijë euro nga buxheti i Kosovës. 16 mijë e 128 euro më saktësisht. Por në deklarimin e pasurisë në vitin 2022,z. Berishaj kishte deklaruar rrogë hiç më pak se 39,936 euro.

Koeficienti i pagës së ambasadorëve është më i vogël se ai i presidentit, kryeministrit e ministrave. Por ambasadorët do të marrin pagë më të vogël se edhe shumë shërbyes të tjerë civilë, përfshirë deputetët, Avokatin e Popullit, e zëvendësministrat.

Kujtojmë që z. Berisha ka kohë që është në qendër të vëmendjes së medieve në Kosovë, Slloveni e gjetiu, për shkak të dyshimeve për përfshirje në një skandal shumë milionësh në fushën e energjisë. Në këtë skandal, përmendet edhe emri i Kurtit, kryeministër aktual, dhe është raportuar për mundësinë e financimit të fushatës së tij nga paratë e GEN-it serb, filialit të kompanisë energjetike sllovene në Beograd.

Megjithatë, Kurti, por edhe të tjerë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, e kanë mbrojtur z. Berishajn, duke mohuar të gjitha shkrimet e raportimet rreth këtij skandali.

Kritikat për pagat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar vlerën aktuale të koeficientit, duke theksuar se është “koeficient i zbrazjes së Kosovës”. Në profilin e tij në “Facebook”, Abdixhiku ka sqaruar se vlera e koeficienti është dashur të jetë 125 euro.

“Koeficienti i zbrazjes së Kosovës! Në krizën më të madhe ekonomike e sociale ndër vite, Qeveria sërish tregoj pandjeshmëri. Pandjeshmëri ndaj përballjes qytetare, ndaj rritjes së kostos së jetesës, ndaj vet njerëzve të këtij vendi. Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit. LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125. Gjithçka më pak se aq është ulje e pagave për disa e mosrritje për të tjerët. Është injorim i inflacionit e kushteve të rënduara të jetesës. Këtë propozim do të dërgojmë menjëherë edhe si amandament në Kuvend.” – shkroi Abdixhiku.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, në profiling e tij në “Facebook”, shkroi se Kurti ka bërë lojë psikologjike, duke e mbajtur sekret vlerën e koeficientit.

“Kryemashtruesi pasi që bëri lojë psikologjike me fshehjen e vlerës së koeficientit, sot publikon vlerën dëshpruese prej 105€! Ky kryemashtrues nuk ia do të mirën qytetarëve dhe vendit të vet! Me të gjitha këto veprime në kohën e fundit, kryemashtruesi ka vetëm një qëllim - TRAZIRAT!.” - ka shkruar Lushtaku.

Përveç partive politike e politikanëve, kanë reaguar edhe sindikalistët. I pari që reagoi nga sindikalistët, ishte z. Ali Sefaj, kryesindikalist i Administratës Qendrore. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ali Sefaj ka treguar se një vlerë e tillë është e papranueshme. Ai shtoi se një gjë e tillë është e papranueshme.

“Vlera e koeficientit prej 105 euro eshte e papranueshme për administraten shtetrore. Qeveria edhe kesaj radhe ka mashtruar për vleren e koeficientit te cilen e pati premtuar për vleren 120 euro. Kjo ka me ndiku qe kuadrot me te mira nga sektori publik me emigru ose me kalu ne sektorin privat.” – shkroi ai.

Gazeta Nacionale kontaktoi edhe me kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqirin, për të pyetur për pikëpamjen e tij rreth vlerës së koeficientit prej 105 euro.

Ai ka thënë se me këtë përcaktim të kësaj vlere të koeficientit, i kanë shtrirë për tokë Policinë e Kosovës.

“Mos na thirrni hiç më mirë, na kanë shtre për toke. Unë prej mjeteve të informimit e mora vesh.” - është shprehur Zeqiri që në fjalët e para të telefonatës.

Ai ka thënë se përcaktimi i vlerës së koeficientit prej 105 eurosh është i papranueshëm për Policinë e Kosovës.

“Përcaktimi i vlerës së koeficientit për Policinë e Kosovës është e papranueshme, edhe jo vetëm që ka me pas ankesa, unë e di që ka shumë pakënaqësi në tërë sektorin publik, por sidomos tek ne është jashtëzakonisht e papranueshme. Me këtë vlerë të koeficientit dhe me pjesën tjetër të ligjit që i kanë zbrit shtesat e tjera me ligj të pagave, nuk ka rritje të pagave, përkundrazi tek një pjesë e policisë ka zbritje, prandaj kjo është ajo që jo që është e papranueshme por këtu sigurtë dikush po don me e shkatërru këtë vend." - shtoi ai.

Lajme të ngjashme