Pagat e prokurorëve u ulën dukshëm: Reagon ashpër Këshilli Prokurorial i Kosovës - NACIONALE

Pagat e prokurorëve u ulën dukshëm: Reagon ashpër Këshilli Prokurorial i Kosovës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ashpër pas përcaktimit të vlerës së koeficientit prej 105 eurosh, me të cilin pagat e prokurorëve u ulën dukshëm.

KPK-ja ka theksuar se komentet e tyre nuk janë marrë fare parasysh nga institucionet. Andaj kanë kërkuar nga Avokati i Popullit që këtë çështje, ta adresojë në Gjykatën Kushtetuese.

KOMUNIKATA:

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), njofton opinionin publik se në vazhdimësi ka marrë pjesë në grupet punuese gjatë procesit të hartimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, me ç’rast ka ofruar propozime dhe komente konkrete lidhur me këtë ligj, por të cilat nuk janë marrë parasysh nga organet përkatëse.

Rrjedhimisht, sot, me rastin e publikimit të vlerës së koeficientit nga ana e Qeverisë, faktikisht, vërtetohet hapur se janë ulur ndjeshëm pagat e prokurorëve të shtetit dhe pagat e një pjese të stafit administrativ në sistemin prokurorial të Kosovës.

Më ketë rast, duke shprehur kundërshtimin tonë të fuqishëm lidhur me caktimin e koeficientit të pagave, kërkojmë edhe njëherë që të realizohet kërkesa e Këshillit Prokurorial drejtuar Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

KPK konstaton përfundimisht se me këtë rast është cenuar funksionalizimi i sistemit prokurorial, ngaqë pretendimet e ngritura me kohë janë të mbështetura në aktet, praktikat dhe standardet ndërkombëtare dhe, të cilat nuk mund dhe nuk duhet të cenojnë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti.

Lajme të ngjashme