Opozita e pakënaqur me vlerën e koeficientit: U akomodua vetëm niveli politik
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të caktuar vlerën e koeficientit për pagat e punonjësve në sektorin publik ka nxitur reagime të ashpër të opozitës.
Ata kanë bërë me dije se caktimi i vlerës se koeficienti prej 105 euro është veprim që nuk është menduar mirë.
Në shenjë pakënaqësi, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja sot nuk ia kanë bërë kuorumin VV-së për ta mbajtur seancën e sotme të Kuvendit. Në këtë mënyrë, ata kanë pamundësuar mbajtjen e seancës.
Përfaqësuesit e këtyre partive kanë vlerësuar se Ligji për Pagat tashmë akomodon vetëm nivelin politike.
Kryetari i LKD-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se vlera e këtij koeficienti është për zbrazjen e Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se vlera e koeficienti është dashur të jetë 125 euro.
“Koeficienti i zbrazjes së Kosovës! Në krizën më të madhe ekonomike e sociale ndër vite, Qeveria sërish tregoj pandjeshmëri. Pandjeshmëri ndaj përballjes qytetare, ndaj rritjes së kostos së jetesës, ndaj vet njerëzve të këtij vendi. Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit. LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125. Gjithçka më pak se aq është ulje e pagave për disa e mosrritje për të tjerët. Është injorim i inflacionit e kushteve të rënduara të jetesës. Këtë propozim do të dërgojmë menjëherë edhe si amandament në Kuvend”, ka shkruar Abdixhiku.
Edhe më i ashpër ka qenë deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kurti ka bërë lojë psikologjike duke e mbajtur fshehur vlerën e koeficientit.
“Kryemashtruesi pasi që bëri lojë psikologjike me fshehjen e vlerës së koeficientit, sot publikon vlerën dëshpruese prej 105€! Ky kryemashtrues nuk ia do të mirën qytetarëve dhe vendit të vet! Me të gjitha këto veprime në kohën e fundit, kryemashtruesi ka vetëm një qëllim - TRAZIRAT!”, ka shkruar Lushtaku.
Kurse, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se ky ligj nuk ka rritur pagat e sektorit publik.
“U deshën dy vite përplasje, fyerje e nënçmime të sindikatave, por edhe administratës shtetërore për të sjellë një Ligj që akomodon vetëm nivelin politik. Asnjë e re, asnjë rritje, përveç ndërhyrjeve e flakareshave për institucionet e pavarura, si drejtësia, e degradimeve për sektorët vitalë si arsimin, shëndetësinë, policinë e shërbimin civil. Për asgjë më tepër, vetëm reflektimi i normës së inflacionit në shportën bazike po të reflektohej, vlera prej 129 euro e koeficientit do të ishte ajo më minimalja. E, mos të përllogarisim inflacionin ndër vite, prej rritjes së fundit të pagave. Kjo ishte arsyeja e kërkesës sonë që vlera e koeficientit të jetë në këtë shumë”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, ky ligj shpërfaq diferencën e madhe në mes pagave të shërbyesve civil dhe stafit politik.
“Përdorimi i shtesave si argument i ndërlidhur me pagën bazë, shpërfaqë nevojën për ta mbuluar turpin, në veçanti kur kjo ka të bëjë me sektorët vitalë. Ndryshimi i vetëm, në mes këtij degradimi është diferenca që kanë krijuar mes rritjes së pagave të tyre dhe administratës publike”, ka shkruar Tahiri.
Qeveria uli pagat dhe cenoi pavarësinë e gjyqësorit
Ndaj vlerës së koeficientit ka reaguar edhe shoqëria civile. Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë me dije se me këtë vlerë të koeficientit janë ulur pagat dhe është cenuar pavarësia e gjyqësorit.
“KDI, vlerëson se kjo vlerë e koeficientit prej 105 euro nuk përkon me pritshmëritë dhe kërkesat e punëtoreve të sektorit publik. Për më tepër e metë kryesore e këtij ligji mbetet çështja e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë. Kjo vlerë e koeficientit e zhvlerëson pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit duke ua ulur pagat për rreth 25%. Kështu një Gjyqtar i Gjykatës Themelore do të paguhet 1200 euro nderkohë që paga e tij/saj bazë ishte 1600 euro në muaj. Ulja e pagave aktuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nga Qeveria po arsyetohet si arritje e “barazisë” së pagave në sektorin publik është kundër kushtetuese dhe në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, rasti nr. KO 219/19. Ulja e pagave është me kundërshtim edhe me Ligjin për Gjykatat, i cili qartazi përcaktohen se pagat e gjyqtarëve nuk mund të zvogëlohen gjatë mandatit për të cilin ata janë emëruar, përveç në rastet kur vendosen sanksione disiplinore nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, është thënë në reagimin e KDI-së.
Sipas tij, prekja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është kritikua edhe nga BE-ja.
“Andaj, shfuqizimi i këtyre dispozitave duhet patjetër t’i paraprijë një arsyetim nga Ekzekutivi, i cili duhet të jetë nën frymën e “parashikushmerisë” dhe “sigurisë juridike” që duhet të ofrojë ky ligj. Çështja e uljes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është kritikuar edhe nga ana e ekspertëve të Komisionit Evropian dhe Zyrës së BE në Kosovë. Ata kanë konsideruar që ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve me ligjin e ri, sidomos në një shumë kaq të konsiderueshme është shumë shqetësuese dhe rrezikon të cenojë parimin e pavarësisë së gjyqësorit. Edhe praktikat gjyqësore të shteteve të tjera evropiane si dhe Komisioni i Venecias kanë theksuar faktin se paga e gjyqtarit individual mund të ulet vetëm si pasojë e një krize të evidentuar ekonomike”, është thënë në reagim.