Rusia u ndalon furnizimin me naftë vendeve që kanë vendosur çmimin tavan
Vladimir Putin ka dhënë përgjigjen e Rusisë ndaj çmimit tavan për naftën ruse të vendosur nga Perëndimi.
Putin ka nënshkruar një dekret që ndalon për pesë muaj, nisur nga 1 shkurti 2023, furnizimin me naftë dhe produkte të naftës për vendet që kanë marrë pjesë në këtë marrëveshje.
Kujtojmë se, Grupi i Shtatë fuqive të mëdha, Bashkimi Evropian dhe Australia ranë dakord këtë muaj për një kufi të çmimit prej 60 dollarë për fuçi për naftën ruse, vendim që ka hyrë në fuqi që nga 5 dhjetori.
Ky vendim nga Perëndimi është marrë për shkak të "operacionit ushtarak special" të Moskës në Ukrainë, ndërsa përgjigja e Kremlini ishte ndalimi me furnizim nga 1 shkurti deri më 1 korrik.
Sipas Reuters, eksportet e naftës bruto do të ndalohen nga 1 shkurti, por data e ndalimit të produkteve të naftës do të përcaktohet nga qeveria ruse dhe mund të jetë edhe pas kësaj date. Bëhet e ditur se dekreti përfshin një klauzolë që lejon Vladimir Putin të anulojë ndalimin në raste të veçanta.
