BE gati për miratimin e çmimit tavan për naftën ruse - NACIONALE

BE gati për miratimin e çmimit tavan për naftën ruse

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pasi edhe Polonia ka dhënë mbështetjen e saj, duket se Bashkimi Evropian do të miratojë një çmim tavan për naftën ruse.

Plani i BE-së, sipas të cilit vendeve u ndalohet të paguajnë më shumë se 60 dollarë për fuçi, në mënyrë që të miratohej kishte nevojë për aprovim nga të gjitha shtetet anëtare.

Çmimi tavan u parashtrua si kërkesë nga grupi i G7-ës dhe ka për synim të ndalojë Moskën që të përfitojë nga eksportet e naftës duke shmangur rritjen e çmimeve.

E tani, mbështetja e njoftuar sot e Polonisë për propozimin, do të thotë se BE-ja mund të vazhdojë me planin për të vendosur një çmim tavan deri me 5 dhjetor.

Më herët ishte raportuar se BE-ja dëshironte të vendoste çmimin në 65-70 dollarë, por ky propozim ishte refuzuar nga Polonia, Lituania dhe Estonia si shumë i lartë, pasi Varshava kishte dashur që vlera të ishte sa më e ulët që të jetë e mundur.

Futja e një kufiri në çmimet e naftës ruse do të thotë se vendet që nënshkruajnë politikën do të lejohen të blejnë vetëm naftë dhe produkte të naftës të transportuara përmes detit që shiten me ose nën çmimin e vendosur.

Ministrat e financave të G7 thanë në shtator se plani i tyre për të kufizuar çmimin e naftës së papërpunuar ruse do të reduktonte të ardhurat e Moskës nga nafta dhe aftësinë e saj për të "financuar luftën e agresionit".

Kujtojmë se, që kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë, çmimi i një fuçie nafte është rritur duke sjellë përfitime të mëdha për kompanitë e naftës.

Megjithatë, ky propozim i BE-së që pritet të miratohet është denoncuar nga Rusia, e cila tha se nuk do t’i furnizonte vendet që do të zbatojnë çmimin tavan.

Lajme të ngjashme