Zyrtari ukrainas: Na janë vrarë deri në 13.000 ushtarë - NACIONALE

Zyrtari ukrainas: Na janë vrarë deri në 13.000 ushtarë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i lartë ukrainas ka thënë se deri në 13 mijë ushtarë të vendit të tij janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se mes 10 mijë e 13 mijë ushtarë të Ukrainës kanë vdekur gjatë luftës.

Është gjë e rrallë që autoritetet ukrainase të japin shifra të të vrarëve të ushtrisë së vendit të tyre dhe komentet e këshilltarit nuk janë vërtetuar nga forcat e armatosura, raporton televizioni BBC.

Në qershor, ky zyrtar kishte thënë se mes 100 e 200 ushtarë ukrainas po vdisnin çdo ditë.

Muajin e kaluar, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë amerikane, Mark Milley, tha se rreth 100 mijë ushtarë rusë e 100 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë ose janë lënduar që nga fillimi i luftës.

Në një video-adresim të publikuar të mërkurën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, tha se 100 mijë trupa ukrainase janë vrarë. Megjithatë, një zëdhënës i këtij organi më vonë sqaroi se deklarata ishte e gabuar dhe se shifra u referohej ushtarëve të vrarë e të lënduar gjithsej.

Duke folur në një televizion ukrainas, këshilltari presidencial tha se Kievi “është duke folur haptazi për numrin e të vrarëve”. “Ne kemi vlerësime zyrtare nga Shtabi i Përgjithshëm, vlerësime zyrtare nga komandanti suprem [Zelensky] dhe ato lëvizin nga 10 mijë deri në 12 mijë e 500 ose 13 mijë të vrarë”- tha ai.

Ai shtoi se edhe numri i civilëve të vrarë gjatë luftës mund të jetë “domethënës”. Televizioni BBC ka identifikuar rreth 3.600 civilë të vdekur deri në mesin e qershorit. Kjo shifër tani ka gjasë të jetë shumë më e lartë.

Zonja Von Der Leyen ka thënë se 20 mijë civilë ukrainas janë vrarë. Përderisa kjo shifër nuk është tërhequr nga Komisioni Evropian, ajo u largua nga versionet e mëvonshme të videos, bashkë me vlerësimin se 100 mijë trupa ukrainase janë vrarë.

Këshilltari Podolyak gjithashtu vlerësoi se deri në 100 mijë ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës dhe se rreth 100 mijë deri në 150 mijë të tjerë janë plagosur, janë zhdukur ose nuk mund të kthehen në luftime.

Shërbimi në Gjuhën Ruse i BBC-së ka vlerësuar se 9.311 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës, por shifra e vërtetë mund të jetë mbi 18 mijë e 600.

Lajme të ngjashme