Rryma deri në 260% më shtrenjtë për prodhuesit nga 1 qershori: “Mijëra vende pune në rrezik, tronditje financiare”
Iu tha ‘Jo’ një kërkese të vetme të bizneseve prodhuese: shtyrjen për një vit të zbatimit të vendimit për vendosjen në të ashtuquajturin “treg të lirë” me ofertues të vetëm KESCO-n që në tryezë u ka skalitur çmime më të shtrenjta se në ekonomitë më të zhvilluara si Holanda e Franca. Albin Kurti prodhuesve ditë më parë ua kumtoi – fatalisht – se ky vendim është fakt i kryer: ku bizneset do të ballafaqohen me çmime të energjisë deri në 260% më shtrenjtë. Ky vendim – në emër të ZRrE’së, anëtarëve të emëruar nga Vetëvendosja – hyn në fuqi nga 1 qershori. Alarmimet për “tronditje të madhe financiare” për bizneset që përbëjnë ekonominë e vendit dhe rrezikim të mijëra vendeve të punës kanë nisur t’i artikulojnë të gjitha odat ekonomike në vend.
Oda Ekonomike Amerikane në një reagim më të fundit tha se vendosen në rreizk mijëra vende të punës në veçanti industritë ku konsumi i energisë është më i lartë “e të cilat formojnë shtyllën kurrizore të ekonomisë produktive të Kosovës”.
OEAK tha se janë “thellësisht të sheqtësuar” me hyrje në fuqi të vendimit nga 1 qershori për çka edhe shpjeguna rreziqet e ndjeshme që pasojë nga ajo.
“Në Kosovë, pavarësisht furnizuesve të shumtë të licencuar, vetëm njëri është plotësisht funksional, duke i lënë bizneset pa zgjedhje efikase si dhe duke i ekspozuar ato ndaj rritjeve të çmimit të energjisë elektrike prej mbi 200%. Rrjedhimisht, ky nuk është një treg konkurrues, por është një tranzicion i parakohshëm që imponon një shok të menjëhershëm financiar për bizneset që edhe ashtu përballen me presione më të gjera ekonomike”, thanë nga OEAK.
OEAK rikujtoi se ZRrE vendimin e ka marë para vetëm 3 muajsh dhe pa mbështetje kalimtare – derisa i bënë thirrje që ta shtyjnë atë vendim deri në sigurimin e kushteve të nevojshme rregullative. “Pa këto aspekte, liberalizimi rrezikon të shkaktojë dëme afatgjata në ekonominë, klimën e biznesit dhe konkurrueshmërinë e Kosovës”.
Partia Demokratike e Kosovës ditë më parë në një konferencë për media ka artikuluar pasojat e rënda që pritet të vinë pashkëputshëm nga ky vendim. Arben Mustafa nga PDK tha se inflacioni në vend veçse do të fryhet pas këtij vendimi.
“Vendimi për të nxjerrë bizneset në tregun e hapur të furnizimit me energji, pa asnjë masë përgatitore dhe pa u siguruar se do të ketë konkurrencë të mirëfilltë në tregun e furnizuesve të energjisë, pritet të rrisë me rreth 260% shpenzimet e furnizimit me energji për bizneset që kanë mbi 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor.
Një shtrenjtim kaq i madh i faturës së energjisë për disa biznese mund të nënkuptojë mbyllje të biznesit, ndërsa për një pjesë tjetër goditje të madhe në pozicionin konkurrues, duke i bërë eksportet e kompanive kosovare shumë më të shtrenjta dhe si pasojë, edhe më të pakta se që janë aktualisht.
Më pak eksporte nga kompanitë kosovare do të thotë më pak vende pune në Kosovë, më pak të ardhura për familjet kosovare dhe më pak tatime të paguara për shtetin e Kosovës. Me një fjalë, kjo qeveri po e godet rëndë sektorin privat dhe me këtë po godet shtyllën kryesore të punësimit dhe të gjenerimit të të ardhurave për familjet kosovare”, tha ai.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hymete Bajrami, pas këtij vendimi të ZRrE-së (lexo: Qeverisë) tha se qytetarët do të goditen më së rëndi, sepse kostot shtesë të energjisë për bizneset “do t’i paguajnë qytetarët e vendit, ata me të ardhurat më të vogla, sepse çmimet do të rriten - e do të rriten çmimet e produkteve që shiten më së shumti - do të rriten çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm, por as për qytetarët këta nuk mërziten”.
“Nga “duaje tënden” në “shkatërro tënden dhe blej nga importi”, metamorfozë si kjo e LVV-së nuk e njeh historia e re politike e Kosovës. Erdhën në pushtet duke rrokullisur kamionë me mallra nga Serbia, hoqën dorë nga pushteti sepse nuk pranonin të hiqej taksa 100% për produktet serbe, e vendosur në kohën kur ishte kryeministër Ramush Haradinaj. Pas më shumë se katër viteve në pushtet, sot janë kundër çdo biznesi vendor dhe në përkrahje të mafies energjetike.
Kosova ka deficit tregtar rreth 38 miliardë euro për vitet 2001 - 2021 dhe i ka 19 miliardë deficit vetëm gjatë qeverisjes së Kurtit. Deputeti Kurti ka shpërndarë qindra miliona të buxhetit për të blerë paqe sociale e vota, por asnjë veprim nuk ka ndërmarrë për ta ndihmuar ekonominë e këtij vendi, e cila do të ndihmonte mirëqenien e secilit qytetar”, tha Bajrami.