“Rroftë partia”: Punësimet partiake “vlojnë” në Komunën e Drenasit - NACIONALE

“Rroftë partia”: Punësimet partiake “vlojnë” në Komunën e Drenasit

3 vjet më parë

nga Eriola Cacaj

Punësimet familjare e ato partiake vazhdojnë ta ngulfasin vendin tonë. Së fundmi, Komuna e Drenasit ka hapur konkurs për pranimin e doktorëve, infermierëve, asistentëve, teknikëve e shumë shumë pozita tjera në QKMF, QMF dhe AMF. Gjatë plotësimit të këtyre pozitave të munguara, zyrtarët e Komunës së Drenasit nuk kanë arritur që ta shmangin nepotizmin.

Bëhet fjalë për pesë punësime familjare e partiake, në 46 pozitat sa ishin të hapura nga Komuna e Drenasit.

Ky konkurs është hapur nga komuna për Doktor i Mjekësisë, Mjekë Stomatolog, Infermier në KPSH në QKMF, QMF dhe AMF, Infermier/e të pajisur me patentë shofer, Teknik të Farmacisë, Asistent/e stomatologu, Laborant, Tenik të RTG-së dhe Zyrtar/e i burimeve njerëzore në Administratë të QKMF-së në QKMF “Dr Hafir Shala” në Drenas.

Asambleistja e kësaj komune, Blerina Gashi, ka arritur t'iu bëjë vend tre anëtarëve të familjes së saj.

Blerinës në këtë konkurs i është punësuar vëllai, Bislim Gashi, si Mjek Stomatolog, së bashku me bashkëshorten Arbnora Leci – Gashi, e cila është punësuar në konkursin Asistent Stomatolog, Teknik Laboratorantë, Teknik Farmacistë.

Duke mos u mjaftuar me kaq, Blerinës i është punësuar edhe vajza e dajës, Arberije Qorri, në pozitën infermiere në KPSH, infermierë të pajisur me patentë shofer.

Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një përgjigje nga Blerina, mirëpo e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

Vend për punësim në këtë konkurs ka gjetur edhe Manushaqe Prokshi, motra e Zyrtares së Kabinetet të Kryetarit, Rrezarta Prokshi, në pozitën në konkursin Asistent Stomatolog, Teknik Laboratorant, Teknik Farmacist.

Rrezarta ka mohuar të ketë pasur ndikim në punësimin e motrës së saj, duke thënë se motra e saj ka qenë kandidate e vetme për pozitën në të cilën ka konkuruar.

“Duke shpresuar që jeni mirë, ju njoftojë që motra ime ka qenë e vetmja kandidate për pozitën në të cilën ka konkuruar. Kësisoji nuk ka pasur ndikim nga unë as nga askush tjetër. Për njoftim edhe unë isha kandidate për pozitën e infermierës në konkursin në fjalë por që nuk kam arritur të fitojë këtë vend të punës.” – ka thënë Rrezarta në një përgjigje për Nacionale.

Ajo tutje ka ftuar që të gjithë ata që kanë pakënaqësi mund të ankohen në institucione gjegjëse.

Duke shtuar se të gjithë ata që kanë hedhur akuza në drejtimin e saj për ushtrim ndikimi, do të ballafaqohen edhe me padi.

“Të gjithë zërat e pakënaqur kanë mundësinë të ankohen në institucionet gjegjëse. Sa për njoftim, të gjithë ata që kanë hedhur akuza në drejtim timin për ushtrim ndikimi do të ballafaqohen me padi prej të cilave do të kërkohet dëshmi sesi unë paskam ndikuar të punësohet një familjare e imja, e cila nuk ka pasur asnjë kundërkandidat tjetër.” – ka shkruar ajo ndër të tjera.

Rrezarta duke dhënë përgjigjen e saj ka akuzuar një person me mbiemrin si “Ajazi” për dhënien e infomacioneve, mirëpo Gazeta Nacionale përgjatë hulumtimit të saj nuk ka kontaktuar më asnjë person me mbiemrin Ajazi.

“Me çfarë të drejte duhet të diskriminohet dikush vetëm se është motra e dikujt e sidomos kur e njëjta nuk ka pasur asnjë kundërkandidat tjetër!? Pretenduesi në fjalë, pra zotëri Ajazi, është mësuar me veprimet e ngjashme sepse i njëjti ka të punësuar motrën e tij në AMF në Komoran, e cila pavarësisht që me profesion është mami, punon si infermiere në Komoran. Ka kaluar koha që njerëzit diskriminohen veç përse nuk janë preference për grupet të caktuara të interesit.”- ka përfunduar ajo.

Pa shkuar shumë larg, edhe drejtoreshës së Administratës në këtë komunë, Laureta Thaqit i është punësuar vëllain, Liridon Thaqi, në pozitën në konkursin Asistent Stomatolog, Teknik Laboratorant, Teknik Farmacistë.

E kontaktuar nga ekipi i Gazetës Nacionale, Thaçi ka thënë se për këtë konkurs është tjetër kush përgjegjës.

“Pyetjet i keni adresu gabim, për shkak se konkursin e ka zhvillu dikush tjetër procedurën, dhe përgjegjësia është e komisionit dhe jo e imja. Nuk e di në cfarë cilësie po dëshironi me më pyet.” – ka thënë Laureta.

Mirëpo, kur u pyet për punësimin e Liridonit, ajo ka kërkuar që pyetjet t’i adresohen me email.

Më pas ajo ka deklaruar se, komisioni ka qenë profesional dhe se nuk ka pasur mundësi të ushtrojë asnjë ndikim.

Lidhur me pretendimet e ngritura, ju njoftoj se komisioni ka qenë profesional, i pavarur, dhe unë nuk kam ushtruar asnjë lloj ndikimi, dhe as nuk kam qenë e përfshirë në asnjë hallk të vendosjes. Për informim, nuk është faji im që vëllau im ka përfunduar Shkollën e Mjekësisë, dhe që ka mbi 6 vite përvoj në barnatore, dhe as që ka garuar në një konkus publik që kushdo që ka plotësuar kriteret ka mundur të konkurroj. Mëgjithatë, kushdo që ka ankesa dhe pretendon se iu është bërë e padrejtë, janë të lirë të ndjekin rrugët ligjore.” – ka deklaruar ajo.

Lajme të ngjashme