Rritja ekonomike realitet, apo iluzion i rritjes së çmimeve? Si u përplasën Bajrami dhe Muja në Kuvend - NACIONALE

Rritja ekonomike realitet, apo iluzion i rritjes së çmimeve? Si u përplasën Bajrami dhe Muja në Kuvend

1 vit më parë

nga NACIONALE

Debati në seancën e parë plenare të sesionit të ri në Kuvendin e Kosovës, filloi me fjalimin e deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja.

“Po mos të ishim ne...”, kështu filloi një pjesë e fjalimit të deputetit mitrovicas ku ndër të tjera tha se “anë e fortë e kësaj qeverie është performanca ekonomike”, e që bëri që deputetët e opozitës të qeshin me këto deklarata.

“Në tremujorin e parë të vitit 2024 në bazë të ASK-së rritja e raportuar ishte 5.6 për qind në terma real…Ndërkaq nga vitit 2021, mbi 6 për qind…Larg përtej rritjeve që kanë ndodhur paraprakisht… rritje ekonomike pa borxh. Po mos të ishim ne, 1 miliard euro në buxhetin e shtetit nuk do të ishin, rrjedhimisht i gjithë financimi i shtesave për fëmijë, i gjithë financimi për ushtrinë do të mungonte”, tha Muja para kolegëve të tij.

Këtyre shifrave të Mujës, iu kundërpërgjigj me shifra tjera, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Ajo kritikoi qeverisjen e VV-së, duke theksuar se rritja ekonomike që përmendet nga pushteti është e ndikuar kryesisht nga inflacioni, duke i privuar kështu qytetarët nga përfitime reale.

“Inflacioni në vitin 2021 ishte 3.4%, në vitin 2022 inflacioni ishte 11.6% dhe në vitin 2023 inflacioni sipas saj ishte 4.8%, të dhëna këto që janë edhe në faqën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Duke ju referuar inflacionit deputetja Bajrami tha se “për tri vite të qeverisjes tuaj ekonomisë së Kosovës, inflacioni i ka kushtu 1.6 miliardë euro”.

Ajo shpjegoi se shtesat e fëmijeve paguhën nga tatimet me të larta që vijnë nga çmimet e rritura dhe se shtesat e fëmijeve janë paratë që shteti i ka marrë nga prindërit e tyre e që asesi nuk e mbulojnë inflacionin.

Hykmete Bajrami tha se rritja ekonomike është më shumë një iluzion i krijuar nga rritja e çmimeve.

Përballja me të dhënat ekonomike

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës dhe Agjencisë së Statistikave, inflacioni në vitin 2022 ka qenë një nga më të lartët në dekadën e fundit, duke arritur në 11.6%, ashtu siç përmendi edhe deputetja Bajrami.

Po ashtu, aty theksohet se rritja ekonomike nominale nuk mund të shihet thjesht si një përmirësim pa marrë parasysh inflacionin.

Deklarata e deputetes Bajrami mbi ndikimin e inflacionit në GDP për vitin 2022 është e mbështetur në logjikën që rritja e çmimeve ka kontribuar në vlerën e lartë të GDP-së nominale, duke e maskuar në një farë mënyre performancën reale ekonomike.

Muja gjithashtu argumenton se qeveria ka arritur të rrisë buxhetin pa marrë borxh të ri.

Megjithatë, është e qartë se një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të shtuar ka ardhur nga të ardhurat shtesë të krijuara përmes inflacionit, gjë që përputhet me kritikat e deputetes Bajrami.

Lajme të ngjashme