“Rreth 200 mijë viktima ushtarake nga të dyja palët në luftën Rusi-Ukrainë” - NACIONALE

“Rreth 200 mijë viktima ushtarake nga të dyja palët në luftën Rusi-Ukrainë”

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në një konferencë të mbajtur, një zyrtar perëndimor ka thënë se viktimat ushtarake nga lufta Rusi-Ukrainë kanë arritur në rreth 200 mijë, me një numër të ngjashëm të të vrarëve e të plagosurve nga të dyja anët.

Megjithatë, sipas The Guardian, zyrtari ka shtuar se një përqindje më e lartë e të vrarëve kanë qenë rusë, sepse ata kanë qenë në ofensivë, që do të thotë se “kanë pësuar më shumë vdekje sesa ukrainasit në ekuilibër”.

Ndërkohë në një përditësim të fundit, shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, ka pretenduar se deri më tanië janë vrarë rreth 127,500 anëtarë të forcave pro-ruse.

Më tej zyrtari ka shtuar se pavarësisht nga sulmet e shtuara në Donbasin lindor, Rusia ende nuk ka nisur një ofensivë të madhe, por në të kundërtën është angazhuar në një përpjekje më të vogël që është në gjendje të bëjë “jo më shumë se fitime taktike”.

Duke folur në kushte anonimiteti, ai më tej ka thënë se besonte që kishte një bllokim ushtarak për momentin – me luftën që mund të zgjasë gjatë gjithë vitit 2023.

“Në mënyrë që Rusia të depërtojë, do t’i duhet të nisë një raund të ri mobilizimi, ndërsa Ukrainë do të duhej të mbështetej në furnizimin e mëtejshëm të armëve nga perëndimi së bashku me inovacionin e saj taktik në fushë betejë,”-ka thënë ai.

Kujtojmë se deri më tani, Ukrainës i janë premtuar donacione të tankeve që përfshijnë 31 tanke Abrams nga ShBA, 14 Leopard 2 nga Gjermania dhe Polonia, 14 Challenger 2 nga Britania e Madhe si dhe 4 të tjera nga Kanadaja.

Përveç këtyre vendeve, edhe Holanda ka thënë se mund të dërgojë 18 Leopard 2 të marra me qira nga Gjermania, ndërsa Norvegjia deri në 8 të tilla duke e çuar shifrën në 100 bashkë me Finlandën, Danimarkën dhe Spanjën që kanë premtuar dërgim të një numri të paspecifikuar.

Në anën tjetër, në një deklaratë të dhënë sot, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba ka thënë se Kievi po priste 120 deri në 140 tanke në valën e parë të dërgesave nga Perëndimi.

Lajme të ngjashme