Rrëfimi i Prek Kodrës: S’jam snajperist, Policia e Kosovës më pyeti për dikë me mbiemër Kelmendi
Prek Kodra ka mohuar akuzat për atentat të planifikuar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai thotë se nuk është snajperist, por gjuetar, dhe se nuk është marrë kurrë në pyetje nga Policia e Kosovës për një çështje të tillë.
Kodra në T7, në një rrëfim të tij ka thënë se raportimet që ai kishte rolin e vrasësit në një atentat të planifikuar ndaj Kurtit, deputetit Xhavit Haliti dhe komandatit Ismet Haxha, kanë rënduar atë dhe familjen e tij.
“Për këtë situatë, çka me shpjegu. Vetëm po shpik, sikur kanë shpik persona të paidentifikuar për mua. Unë Albin Kurtin e njoh përmes telivizionit, s’kam lidhje me asnjë person në Kosovë për qëllim të keq. Më vjen keq, më keni akuzu, po më merrni në qafë, mu familjen tem, personat që i njoh. Nuk më shkon mua kjo gjë. Për herë të parë, paradite, rreth orës 11:00 kam qenë në SHkodër, në kafe, më ka telefonuar dikush nga Gjermania, it hash po rri, afër punës, po pi kafe. Më tha a po i sheh lajmet, thash çka ka, më ka nis linkun, pash atë gjë që s’e kam imagjinuar kurrë në jetë. Atëherë kam marrë telefonata, çka po bëhet kështu, kush ka punë me ty”, ka thënë ai.
Ndërkaq, në lidhje me atë se a është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës për një çështje të tillë, Kodra tha se është ndaluar nën dyshimet për falsifikim të parave, por nuk i është përmendur atentatori.
“Nuk më ka pyet Policia për këtë gjë që po thoni ju, e për këtë që e kam dëgju për vete. S’e kam dëgju, as s’e kam mendu kurrë. Mua më kanë ndaluar në Kosovë para një viti në doganë rreth 24 nëntor, mos qofsha gabim. Kam qenë duke shkuar në Kosovë me ble një kamion për ndërmarrjen time. Kur më kanë ndaluar kam qenë me makinën e vajzës time t’u shku në Kosovë, për me pa një kamion për firmën time “Art Mermer Kodra”. Më kan fut brenda, më kanë mbajt nga ora 14:00 pasdite, deri në 23:00, as sm’ë dëftojshin përse më kanë ndalë. Më kanë nxjerrë paret, më kanë vetë a ke ndonjë gjë me veti. Kam pasë 15 mijë euro me vete. Në doganë më kanë arrestu, në Vermicë. Në Prizren më kanë dërgu mas 2-3 ditësh, nuk më kanë ndalu në Prizren. Fillimisht thanë për Prizren, më kanë marrë në pyetje, më kanë dërgu në Prishtinë te Departamenti për Krime të Rënda, më kanë marrë në pyetje, më kanë fut në dhoma të izolimit. Njëherë humba, kur më thanë dyshohet për falsifikim parash. Unë isha i bindur që janë të pastra, se i kamë marrë nga ndërmarrja ime”, tha ai.
Por shtetasi shqiptar, theksoi se e kanë pyetur në Doganë për disa persona, për të cilët pretendon se nuk ua kujton emrat, por mban mend një mbiemër, atë Kelmendi.
“Më kanë pyet gjatë ndejës në doganë, nuk e dijsha mirë kush janë, çfarë struktura. Më kanë pyetur për disa persona, që mua nuk më interesojnë kush janë, s’i mbaj mend personat as tash, Kelmendi, ku di unë, me emra, mbiemra. Unë në Kosovë njoh vetëm një familje, ku shkoj rregullisht. Me mbiemër Kelmendi, nuk më kujtohet emri. Për disa emra tjerë, që mua nuk më ntereson, nuk më intereson emri i askujt, as nuk kisha punë me askënd”, tha ai.
Kodra tutje shtoi se Policia e Kosovës i ka marrë telefonin dhe se nuk i është kthyer sot e asaj dite. Veç kësaj, ai theksoi se në veturë i është gjetur edhe një telefon tjetër, të cilin thotë se nuk ka qenë në dijeni se e ka.
“Ma kanë marrë telefonin tim, aty në makinë është gjetë edhe një telefon tjetër pa dijeninë time. Kanë dalë dy telefona në makinë, unë di për telefonin tem, se vajza ime e ka pasur mbrëmjen e maturës, ka pasë shokë e shoqe në makinë, kam dyshu se i kaë rënë dikujt prej tyre. Nuk jam interesu për telefonin tjetër, as nuk ma ka kërkuar askush. Unë jam interesuar për telefonin tim iPhone, se kisha marrë edhe nëj tjetër për vajzën dhuratë, iPhone. Kam pasë të dhëna të biznesit, nuk ma kanë kthyer sot e kësaj dite”, tha ai.
Në fund, Kodra mohoi të jetë “me Forcat Speciale”, ndërsa pohoi se posedon armë gjahu për më shumë se 25 vite.
Çfarë thanë Qeveria e Xhavit Haliti?
Ndërkaq, në lidhje me raportimin që fillimisht u bë nga mediumi shqiptar, A2CNN, për Nacionalen të hënën folën edhe nga Zyra e Kryeministrit.
Ata na thanë se kryeministri ka qenë në dijeni për këtë plan për atentat ndaj tij.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi. Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik.” – thuhet në këtë përgjigje.
Përveç kryeministrit, plan kishte pasur edhe për vrasjen e deputetit Xhavit Haliti dhe një komantant i UÇK-së me emrin Ismet Haxha.
Deputeti Xhavit Haliti, po ashtu ka konfirmuar se ka pasur vazhdimisht raste kur është njoftuar për ndonjë atentat të mundshëm ndaj tij.
Ndërkaq, dje për ATVai tha se nuk mori mbrojtje as nga institucionet për këto kërcënime.
“Më ka thirr policia e Kosovës, sektori anti-terrorist, nuk isha në Prishtinë, pas dy ditësh i kam lajmëru. Jemi taku me dy persona që ishin të ngarkuar me bisedu me mu, më kanë thënë që kemi informacion që je i rrezikuar nga dikush, se kush, nuk ma kanë thënë. Më kanë thënë që është mirë të ruhem, ma kanë dhënë një numër telefoni, që nese shoh dikë që po më afrohet, me i lajmëru ata”, tha Haliti.

