E pakonfirmuar: Raportohet një plan për vrasjen e Albin Kurtit dhe Xhavit Halitit - NACIONALE

E pakonfirmuar: Raportohet një plan për vrasjen e Albin Kurtit dhe Xhavit Halitit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Televizioni A2 në Shqipëri ka publikuar sot një lajm, të cilën Nacionale ende nuk ka arritur ta konfirmojë. Sipas televizionit shqiptar, gjatë vitit 2021 kishte një plan për vrasjen e disa figurave kosovare, përfshirë kryeministrin Albin Kurtit.

Sipas këtij televizioni, pjesë e planit për vrasjen e figurave të ndryshme, ishte edhe Xhavit Haliti, deputet i PDK dhe njëri nga personalitetet më të njohura të kësaj partie.

“Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën kështu rezulton në një dokument të bërë publik këtë të hënë nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.”, shkruan A2, transmeton Nacionale.

Tutje, sipas A2, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë, kishte pranuar informacione për atentat ndaj kryeministrit Kurti, Xhavit Halitit, dhe Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit.

“I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.”, shkruan tutje A2.

Në shkrim theksohet se personi i dyshuar është me precedent penal, duke shtuar se ai edhe më herët është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut.

I dyshuari për atentat ndaj Kurtit, është shpallur person në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë.

“Në shtator të vitit të kaluar u pezulluar urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.”, shkruan a2.

Nacionale është duke provuar që të kontaktojë me organet relevante dhe subjektet e këtij raportimi dhe nuk merr përgjegjësinë mbi vërtetësinë e lajmit.

Xhavit Haliti: Kam pas paralajmërime, por këto janë të rregullta tek unë

E për këtë ka folur deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili ka thënë për gazetën Express se ka pasur paralajmërime nga policia, për këtë lajm. Por se situatat si kjo ai i ka të rregullta.

“Unë kam pas paralajmërime, më kanë lajmëru edhe policia. U kanë një kohë kur më kanë ruajt, unë i kam këto të përhershme që nga viti 85, i kam kështu të rregullta”, tha Haliti.

Ai tutje ka thënë se nuk ka pasur mbrojtje nga Policia, apo ndoshta në distancë e nuk e ka ditë.

Ndërsa rreth tri vjet më parë ai është ruajtur për gjashtë muaj nga mbrojtja e afërt e policisë.

“Rreth 3 vjet më herët më kanë ruajt 6 muaj kam pas mbrojtje të afërt të policisë, shtëpi, punë, rrugë kudo që kam lëvizë”, tha Haliti.

Lajme të ngjashme