Rrahmani, Millaku e Abazi ikën: Si mbeti Kurti me Mujën e Bashën, dikur kritikët më të ashpër të VV-së?
Nuk do fjalë që politika është e mbushur me shumë befasi e ngjarje të çuditshme, ndërsa shpesh politikanët ndryshojnë pozicione e qëndrime. Armiku i dikurshëm bëhet mik…dhe anasjelltas. Pikërisht një ngjarje tillë e çuditshme ka ndodhur në Lëvizjen Vetëvendosje. Njërëzit që dikur e kritikuan më së shumti këtë parti, sot janë njerëz të afërt të kryeministrit Albin Kurti. Disa të tjerë zgjodhën të largohen.
Eman Rrahmani, Visar Korenica, Haki Abazi, Drita Millaku dhe Fatmir Humolli janë deputetët që kanë zgjedhur t’i ndajnë rrugët me Vetëvendosjen. Disa prej tyre kanë themeluar një nismë të re politike (Rrahmani e Korenica), një tjetër hyri në LDK-në e Lumir Abdixhikut (Millaku) e dy të tjerë ende s’dihet se çfarë do të veprojnë (Abazi e Humolli), teksa po afrohen zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025.
Sidoqoftë, disa të tjerë janë krejt në një vijë me partinë. Madje, edhe dy kritikë të ashpër të dikurshëm të VV-së e Kurtit, sot vazhdojnë të jenë në parti. Dimal Basha dhe Armend Muja tash e meritojnë termin “ish-kritikë”, pasi dy deputetët e VV-së kanë qëndrime të ngjashme për pothuajse shumicën dërmuese të çështjeve.
Megjithatë, nuk ka qenë gjithmonë kështu, pas Muja e Basha dikur kanë qenë kritikë të dalluar të VV-së, partinë që e drejton Kurti që nga themelimi, përjashtimisht tri viteve kur Visar Ymeri ishte kryetar, shkruan Nacionale.
Sot analisti Afrim Haliti ka rikthyer në vëmendjen e publikut nëj shkrim sulmues të Mujës kundër VV-së, ku mes të tjerash Muja paralajmëronte kallzim penal ndaj Dejona Mihalit, koordinatore e komiteteve në VV dhe Aleksandar Vulinit, zëvendëskryeminsitrit serb të sanksionuar nga ShBA-ja.

Ndërsa në një tjetër status, Muja, që u anëtarësua në vitin 2021 në VV, e krahasonte partinë e Kurtit me Listën Serbe.
“Skena politike eshte polarizuar se tepermi nga prezenca e dy forcave politike qe nuk e njohin rendin kushtetues te Ahtisarit (VV dhe Lista Serbe) dhe konsenzusi shoqeror nuk eshte i mundur. Prodhimi i alternativave qeverisese me orinetim zhvillimor nuk eshte i mundur perderisa keto dy forca te kushtezohen per njohje te reegullimit tone politik. Hapi i dyte eshte qe shtegu i mesem politik (political mainstream) te ndryshohet permes reformes zgjedhore qe parandalojne krijimin e partive provinciale (partive te ish-zonave operative). Hapi i trete eshte konsenzusi shoqeror per te kufizuar influencen e Serbise ne Kosove. Hapi i katert eshte pakti per zhvillim (privatizimi i aseteve strategjike). Hapi i peste eshte ndryshimi i elitave mediatike per te prodhur pluralizem te informacionit. Shteti, mireqeverisja dhe elitat e reja politike do te vijne vetem pas zbatimit te hapave te mesiperm”, kishte shkruar Muja, transmeton Nacionale.

Edhe Basha vite më parë ka qenë kritik i madh i Kurtit dhe VV-së, duke e denoncuar ashpër kulturën e dhunës të instaluar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Unë mendoj që kjo ka fillu për shkak të një kulture të keqe që është kriju brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo kulturë e keqe që është mbjell tash e sa kohë, duke filluar nga protestat në rrugë, por pastaj me përdorimin e dhunës në rrugë. Pastaj kjo dhunë kaloi nëpër institucione, siç e dimë të gjithë, pastaj kemi pasur dhunë ndaj njerëzve civilë në rrugë, kemi pasur dhunë ndaj policisë, dhunë ndaj vet institucioneve dhe gjithashtu kemi pasur dhunë edhe ndaj pushtetarëve, duke filluar nga ish-kryeministri Mustafa i cili është sulmuar në Kuvendin e Kosovës dhe gjithashtu e kemi pasur edhe dhunën ndaj ambasadores, mirëpo edhe një dhunë tjetër që nuk është folur shumë, ka qenë ajo dhuna psikologjike që është ushtru nëpër rrjete sociale,” – shprehej ai, shkruan Nacionale.
Me shumë gjasë, Muja dhe Basha do të vazhdojnë të qëndrojnë në VV, duke garuar sërish në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025 për t’u zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës.