Rrahman Jasharaj s'është i vetmi, javë më parë u linçua edhe Uk Lushi - NACIONALE

Rrahman Jasharaj s'është i vetmi, javë më parë u linçua edhe Uk Lushi

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dje u publikua edhe episodi i 25 i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale. Ky njëherit ishte fraksioni i dytë i emisioneve të deritanishme kur në studio ka edhe të ftuar.

Kujtojmë, i pari ishte Bledi Mane, kurse këtë herë autori kishte kënaqësinë që të mirëpriste Uk Lushin, ish-ushtarin e UÇK-së dhe veprimtarin e shquar të lobit shqiptaro-amerikan.

Gazetari Buzhala e ekonomisti Lushi diskutuan për shumë çështje, si nga sfera e politikës e biznesit, ashtu edhe nga drejtësia e deri te socialja.

Gjithsesi, në pjesën e veçuar, kemi zgjedhur momentin kur Lushi foli për kohën e pak jaëve më parë, kur ai u bë pre e një grup njerëzish në rrjetet sociale që shanë e linçuan të apostrofuarin, veç pse kishte mendim ndryshe për këtë çështje.

"Kurrë nuk ia kam bërë pyetjen vetes për çka luftova. Për arsye se, unë besoj që luftëtari i lirisë nuk shkon në luftë për aprovim. Unë e thash, jam kundër luftës, edhe tash. Në luftë shkohet për një gjë të drejtë edhe llogaria e vetme i jepet vetes. Kur e ke shtetin, e ke edhe obligim, nuk është çështje e dëshirës ose mosdëshirës ose edhe përcaktimit. Fundi i fundit, ne kemi shkuar në luftë për të qenë të lirë që njerëzit t’i shprehin lirshëm opinionet e veta, por unë jam mësuar pak, më kujtohet edhe gjatë luftës, të jesh kritik edhe të shash janë dy gjëra të ndryshme", tha fillimisht ai.

Tutje, veprimtari kujtoi faktin se ai kur nuk kritikon njerëz, por vetëm projeketet. Pra, sipas tij, shoqëria sot nuk shkon përpara me njerëz, por siç ka thënë Lushi me grupe, merita e hierarki.

"Në esencë ai që të kritikon ta don të mirën më shumë sesa ai që të përkrah në mënyrë të verbër, ose të thotë që e ke mirë kur e di që e ke keq. Ata janë lloji i servilëve. Kam qenë kritik edhe jam mundur që të mos kritikojë njerëz, por projekte e ide, për arsye se ato janë gjëra kryesore. Nganjëherë nuk ka rëndësi se cili është personi që i çon projektet përpara. Shoqëritë edhe kombet nuk shkojnë përpara me njerëz, po me grupe, me merita, me hierarki edhe me projektet të cilat i vazhdon dikush tjetër. Bie unë, vazhdon ti, ose edhe dikush tjetër".

Veç kësaj, ai tha se mentaliteti i tillë është një problemet më të mëdha, dhe këtu sipas tij ndikon prapambeturia historike.

Këtu potencoi historinë, duke thënë se Kosova ka qenë e shkelur dhe e shtypur.

"Mirëpo, pak për shkak të kulturës, pak për shkak të mentalitetit, unë e shoh këtë si njërin prej problemeve më të mëdha, për shkak të prapambeturisë historike. Ne nuk kemi mundur, në anën tjetër ka qenë edhe një thyerje e madhe historike, për arsye se Kosova ka qenë e shkelur, e shtypur, edhe zhvillimet botërore në periudhën e globalizimit janë të hatashme. Edhe është shumë vështirë që dikush që e ka filluar vrapimin, të themi 10 kilometra prapa, të arrijë atë që vazhdon. Mirëpo edhe kemi humbur shansin", shtoi tutje.

Në pjesën e fundit ndërkaq, mysafiri tha se problemi i shoqërisë sonë dhe kombit në përgjithësi është ky frustrim, që realisht nuk çon përpara.

Njeriu që jeton e vepron përtej oqeanit, gjithashtu përmendi frazën parësore se hidhërimi nuk është ushqim i mirë për ndryshime.

"Tash po e shoh në shoqërinë tonë, edhe në kombin tonë në përgjithësi, një frustrim që nuk çon përpara, se hidhërimi nuk është ushqim i mirë për ndryshime. Mandej, tjetra është se kemi krijuar klane e jo elita. Edhe në aspektin politik sidomos. Këtu njerëzit po humbin shumë kohë me politizim, në vend se me projekte konkrete dhe me zgjidhje. Psh, tash pas 22 vitesh, kthehet njeriu në Kosovë edhe ka probleme me rrymë. Kjo ndodh për shkak të paaftësisë jo vetëm të atyre që kanë përgjegjës për vendimmarrje, por edhe të atyre që e kanë penguar vendimmarrjen, në rastin edhe kryeministri, që ka qenë njëri nga ata që nuk i ka pranuar ato projekte", përfundoi Lushi.

Siç edhe mund të shihni, në pjesën e epërme të tekstit gëzoni episodin e plotë, teksa më poshtë gjeni pjesën e shtjelluar këtu.

Lajme të ngjashme