Rrahja e raportuar e nxënësit nga mësuesi, drejtori i Arsimit në Dragash paralajmëron masa
Është raportuar se dje është rrahur një nxënës nga një mësimdhënës në një shkollë në Dragash.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje përmes raportit të Policisë, ku thuhet se viktima ka pranuar tretman mjekësor.
Për të marrë më shumë informata, Nacionale ka kontaktuar edhe me Drejtorin e Arsimit në Komunën e Dragashit, Selim Kryeziun.
Ai në një prononcim për Nacionale e ka konfirmuar se rasti ka ndodhur në shkollën "Sezai Surroi" në fshatin Bellobard të Dragashit. dhe se ka thënë se do të kthejnë kamerat e asaj dite për të kuptuar më shumë rreth kësaj ngjarje.
Kryeziu, tutje ka thënë se pasi të marrin pamjet do të ndërmarrin masat e duhura ndaj arsimtarit.
"Jemi të njoftuar me rastin, rasti ka ndodhur në shkollën '"Sezai Surroi"’, për momentin kam kontaktuar me drejtorin e shkollës dhe pritet që të shikohen kamerat e asaj dite se kur ka ndodhur rasti, me pas do të ndërmarrim masat e duhura ndaj arsimtarit, po presim të shohim kamerat pasi që gjithçka aty filmohet dhe më pas shohim për rastin”, ka thënë Kryeziu për Nacionale.
Nacionale ka provuar të kontaktoj edhe me Drejtorin e kësaj shkollë ku ka ndodhur rasti, mirëpo i njëjti nuk ka pranuar që të prononcohet.
Ndryshe, sot në raportin e policisë thuhej se një nxënës është sulmuar fizikisht nga arsimtari i tij në njërën nga shkollat e Dragashit.
Policia njoftonte se rasti kishte ndodhur të premten rreth orës 12:20, në Dragash.
Tutje, thuhej se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
“Viktima mashkull kosovar i mitur ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga arsimtari, i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhej në raportin e policisë.
