Rinumërimi i votave të kandidatëve po konfirmon keqpërdorimet, deri me tani ndryshimet arrijnë në gati 15 mijë vota - NACIONALE

Rinumërimi i votave të kandidatëve po konfirmon keqpërdorimet, deri me tani ndryshimet arrijnë në gati 15 mijë vota

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve po konfirmon dyshimet për keqpërdorime nëpër qendrat komunale të numërimit.

Deri me tani ndryshimet në votat e kandidatëve arrijnë në gati 15 mijë vota.

Eugen Cakolli nga KDI ka bërë me dije se ndryshimi më i madh i votave është të kandidatët e PDK-së dhe VV-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka dhënë disa detaje rreth këtij procesi.

Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka rikonfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit. Sipas të dhënave nga rinumërimi i deridjeshëm, në nivel kumulativ, ndryshimet në votat e kandidatëve arrijnë në gati 15 mijë vota. Sipas partive, më së shumti ndryshime ka lista e PDK-së me ~7,719 vota dallim; pasuar nga LVV me ~2,947 vota dallim; LDK – me ~1,676 vota dallim; si dhe AAK me ~639 vota dallim”, ka shkruar ai.

Sipas tij, deri me tani mbi 9 mijë vota janë hequr dhe mbi 3 mijë janë shtuar për kandidatët.

Në total, pas rinumërimit dhe korrigjimeve në QNR, rreth ~9,500 vota janë hequr dhe rreth ~3,500 janë shtuar për kandidatët. Vetëm te katër partitë kryesore, mbi 200 kandidatë kanë pësuar rritje dhe rreth 200 të tjerë rënie të votave. LVV ka 61 kandidatë me ulje dhe 46 me rritje. PDK ka 79 me rritje dhe 27 me ulje. LDK ka 59 me rritje dhe 46 me ulje. Ndërsa, AAK ka 60 me ulje dhe 37 me rritje”, ka shkruar ai, duke përmendur dhjetë kandidatët që pas rinumërimit në QNR kanë rëniet më të mëdha në vota.

Ai ka bërë me dije se këto janë dallime substanciale.

Sipas tij, rinumërimi i plotë është zgjedhja e duhur.

Këto janë dallime substanciale, sidomos meqë shfaqen në një kontekst ku rinumërimi është duke u zhvilluar për vetëm 1/3 e vendvotimeve në nivel vendi. Për më keq, vërehet që votat e këtyre kandidatëve janë ndryshuar kryesisht nga qendrat komunale prej nga vijnë këta kandidatë. Nëse ky trend do të vazhdojë proporcionalisht, volumi i dallimeve në nivel vendi bëhet edhe më domethënës, duke ndikuar potencialisht edhe renditjet e shumë prej kandidatëve. Prandaj, rinumërimi i plotë është zgjidhja e duhur – sa më parë që të jetë e mundur, para se të ndikohen afatet tjera kushtetuese”, ka shkruar ai.

Një ditë më parë, edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka dhënë disa detaje nga ky proces.

Ai ka thënë se procesi i rinumërimit të votave ka shkruar sipas planifikimeve.

Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e premte, 16 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar më shumë se 260 vendvotime nga 914 sa janë planifikuar të rinumërohen. Procesi i rinumërimit është përmbyllur në 18 komuna, ndërkaq është duke vazhduar në 2 komuna të tjera, Prishtinë (26) dhe Prizren (235)”, ka thënë Elezi.

KQZ-ja ka vendosur që në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve, ndërsa në 28 të tjera vetëm nga 10% e vendvotimeve.

Lajme të ngjashme