Prokuroria del me detaje nga ngjarja në Podujevë: Të plagosurit janë dajë dhe nip, motivi nga një mosmarrëveshje në të kaluarën
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se tre persona kanë qenë të përfshirë në përleshjen me armë zjarri, ndërsa personi i katërt i plagosur ishte kalimtar rasti.
"Departamenti për Krime të Rënda njofton opinionin publik se sot, rreth orës 13:40, në sheshin ‘’Bulevardi i Dëshmorëve’’ në Komunën e Podujevës, ka ndodhur një përleshje e armatosur ndërmjet tre (3) personave. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, lëndime trupore kanë pësuar tre (3) persona të përfshirë në ngjarje, si dhe një kalimtar i rastit".
Gjithashtu, Prokuroria ka theksuar se dyshohet se të përfshirët në këtë përleshje me armë zjarri kanë lidhje familjare, saktësisht nip dhe dajë.
Ndërsa motivi dyshohet se ka të bëjë me një mosmarrëveshje paraprake.
"Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake."ka bërë të ditur Prokuroria.
Ndërsa për gjendjen e katër të plagosurvë ka folur, drejtori i Emergjencës, Naser Syla, i cili tha se gjendja e tyre aktualisht është stabile, por e rëndë.
Ai gjithashtu bëri të ditur se njëri prej të plagosurve tashmë ka hyrë në sallën e operacionit.
“Në Emergjencë janë dërguar katër pacientë me lëndime të rënda, të shkaktuara nga arma e zjarrit. Disa prej tyre i kanë kryer ekzaminimet e nevojshme emergjente. Gjendja e tyre është stabile, por ende e rëndë, ndërsa njëri tashmë gjendet në sallën e operacionit”, Ka deklaruar Syla para gazetarëve./Nacionale