Rikthimi agresiv i inflacionit në 2025: Mesatarja vjetore u ngjit në 3,9 për qind - NACIONALE

Rikthimi agresiv i inflacionit në 2025: Mesatarja vjetore u ngjit në 3,9 për qind

6 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Nëse pas krizës së paprecedentë gjatë vitit 2022, zbutja e përkohshme e inflacionit në vitet pasuese u propagandua nga ish-kryeministri Albin Kurti dhe ish-ministri Hekuran Murati si "arritje" e qeverisjes së tyre – pavarësisht mungesës së çfarëdo mase substanciale ekonomike që do t'ua justifikonte pretendimin – shifrat e vitit 2025 sollën një realitet shumë më të zymtë që e zhveshi në plotni këtë narracion.

Për të matur thellësinë e kësaj dyfytyrësie të ish-pushtetit – që shiste 'begati' dhe mohonte krizën gjatë fushatës së fundit zgjedhore – mjafton një shfletim i postimeve në Facebook në profilin e Hekuran Muratit.

Ndërsa në vitet paraprake ish-ministri i Financave e jepte si arritje të qeverisë rikthimin e inflacionit në normalitet, viti pasues u karakterizua nga një heshtje totale përballë një tjetër përshpejtimi të gërryerjes së fuqisë blerëse – i dyti me radhë përgjatë udhëheqjes së Kurtit. Ironikisht, vetë njoftimi i tij i fundvitit për subvencionimin e energjisë për 90 mijë familje, ekspozoi realitetin e krizës së jetesës në pesë vite.

Raportet e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës na skicojnë një trajektore fort shqetësuese të çmimeve. Kosova e mbylli 2025-ës me rikthim agresiv të shtrenjtimit të kostos së jetesës - duke kulmuar me normë vjetore inflacioni 5,3 për qind në dhjetor 2025.

Nëse dhjetori 2024 u mbyll me një normë vjetore minimale prej 1,1 për qind dhe mesatarja vjetore e 2024 ishte 1,6 për qind, viti që lam pas pati kthesë drastike: mesatarja vjetore u ngjit në 3,9 për qind.

Norma e Inflacionit (2024 - 2025)

Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)

Megjithatë, më shumë se mesatarja vjetore, alarmi i vërtetë vjen nga shifrat e fundvitit. Trendi rritës në mbyllje të 2025-ës është sinjal i qartë se presioni inflacionist do të bartet edhe në fillim të vitit 2026. Fakti që vetëm në dhjetor çmimet u rritën me 0,7 për qind, dëshmon se spiralja e shtrenjtimit është riaktivizuar fuqishëm brenda një muaji të vetëm

Ajo që e bën problematik presionin aktual inflacionist është natyra e saj “gërryese” ndaj buxheteve familjare, me rritjen që po ushqehet kryesisht nga produktet esenciale.

Presionet më të mëdha inflacioniste në muajin dhjetor 2025 u ndjenë te pemët, energjia elektrike, mishi, lëndët djegëse të ngurta (dru/pelet), produktet kafe/çaj/kakao, si dhe te grupi qumësht/djathë/vezë.

Në nivel grupesh, ushqimi dhe pijet joalkoolike pësuan rritje prej 8.6%, ndërsa strehimi, uji dhe energjia u rritën me 10.7%.

Rritja e Çmimeve sipas Kategorive

Krahasimi: Dhjetor 2025 / Dhjetor 2024

Produkti / Shërbimi Ndryshimi Vjetor Rritja %
Pemë +19,0%
Energji elektrike +18,3%
Shërbime tjera (Transport personal) +18,1%
Mirëmbajtje & Riparim (Transport personal) +14,7%
Mish +14,4%
Pushime të organizuara +13,5%
Lëndë djegëse (Dru, Pelet etj.) +13,1%
Kafe, Çaj dhe Kakao +11,9%
Qumësht, Djathë dhe Vezë +9,8%
Shërbime ambulantore +8,9%
Shërbime hoteliere +8,8%
Duhan +6,6%
Kujdes personal +5,6%
Mirëmbajtje shtëpiake (Mallra/Shërbime) +5,4%
Pije alkoolike +5,4%
Bukë dhe Drithëra +5,3%
Vegla/Pajisje shtëpie dhe kopshti +5,1%
Prodhime ushqimore +4,9%
Mirëmbajtje dhe rregullim vendbanimi +4,8%
Sheqer, Reçel, Mjaltë, Ëmbëlsira +4,5%
Gjëra personale +4,1%

Lajme të ngjashme