Rikthehen kritikat për kontratën e Kosovës për lobim në Amerikë - çka nënshkroi Serbia?
Kosova dhe Serbia tashmë kanë nënshkruar kontrata të reja për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Kontrata e Kosovës për lobim është raportuar se i është dhënë shoqës së minsitres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Afërdita Rakipi, gjë që kishte nxitur reagime të jashtëzakonshme.
Tash është publikuar edhe kontrata e Serbisë për lobim në Amerikë dhe kjo kontratë është nënshkruar me kompani amerikane.
E kjo gjë ka nxitur përsëri reagime duke kujtuar që Kosova ka nënshkruar kontratë me kompani që për pronar kanë të afërm të minsitres Gërvalla dhe jo kompani me ekspertizë në fushën e lobimit.
Ish-kryediplomati, Petrit Selimi ka komentuar këtë zhvillim dhe ka përmendur edhe marrëveshjen e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës, sipas tij, me “servilë në diasporë”.
“Ndërsa qeveria e Kosovës nënshkruan "kontrata konsultimi" me “servilë” në diasporë, të cilët janë në histori publike duke kritikuar qeverinë amerikane, qeveria serbe sapo nënshkroi kontratën e dytë të konsultimit, tani një marrëveshje 720,000 dollarë me prirjen demokratike @KARVComm për të “shpjeguar politikat e qeverisë serbe”. – ka shkruar ai.
Edhe përfaqësuesi i mërgatës shqiptare në SHBA, Faton Bislimi ka komentuar nënshkrimin e marrëveshjes së Serbisë për lobim në Amerikë.
Ai ka thënë se beteja më e rëndësishme është në fushën e marrëdhënive me publikun.
“E kam thënë dhe po e përsërisë - beteja më e rëndësishme tash është ajo e PR-it (public relations), veçanërisht në këtë kohë kur ndryshimi (per të keq) i narrativës së historisë së çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës është bërë mision i Serbisë.” – ka shkruar ai në Facebook.
Çka thuhet në kontratën e Serbisë?
Kontrata e Serbisë për lobim në Amerikë do të kushtojë 740 mijë për një vit.
Kompania do të promovojë Serbinë për arritur të audiencat të reja me informacione “që i ndihmojnë ato për ta kuptuar pozicionin e Serbisë në arenën globale.”
“Kompania KARV do të punojë Qeverinë e Republikës së Serbisë për të asistuar në promovimin e Serbisë dhe do të punojë për të arritur audienca të reja me informacione që i ndihmojnë ato për ta kuptuar pozicionin e Serbisë në arenën globale. Kjo do të bëhet përmes mediave standarde dhe sociale, bashkë me ndërveprime dhe fjalime të drejtpërdrejta me grupe në mbarë Shtetet e Bashkuara.”
“Afati i marrëveshjes do të jetë për një vit, duke filluar nga 15 korriku i vitit 2023 deri më 14 korrik 2024 dhe mund të zgjatet në mënyrë të dyanshme nga të dyja palët ose anulimi ndodh sipas paragrafit IV më poshtë. Është arritur pajtueshmëri që KARV-i do të faturojë nga 60 mijë dollarë në muaj. Pagesa e parë duhet të bëhet me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.” – thuhet në marrëveshje.

Kontrata e Kosovës
Në anën tjetër, kontrata që ka nënshkruar Kosova është me vlerë e 147 mijë eurove dhe do të vlejë për një vit.
Sipas kontratës së Kosovës, kompania për lobim “do të ofrojë këshilla strategjike dhe përfaqësim të huaj brenda Shteteve të Bashkuara”.
Duhet të kujtojmë se në vazhdimësi ka pasur kritika ndaj kontratës së Kosovës për lobim në Amerikë, por edhe ndaj punës së kryediplomatës, Donika Gërvalla.
Për të kuptuar më shumë për kontratën e Kosovës, klikoni në linkun më poshtë.


