Pas masave ndëshkuese dhe izolimit, Gërvalla kontrakton kompani lobimi në ShBA
Pasi ua refuzuan të gjitha kërkesat, këshillat dhe sugjerimet dhe pas nisjes së masave ndëshkuese (për herë të parë në histori) amerikane, Qeveria e Kosovës, ka kontraktuar një kompani lobuese me shumë prej 147 mijë euro e cila “do të ofrojë këshilla strategjike dhe përfaqësim të huaj brenda Shteteve të Bashkuara”.
Kështu raportoi Euronews Albania të cilën siguruan edhe një kopje të kontratës.
“Sipas kontratës së nënshkruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, kompania do të ofrojë këshilla, përkrahje dhe komunikim me degët legjislative dhe ekzekutive të qeverisë amerikane për të përmirësuar marrëdhëniet bilaterale ndërmjet SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”, raportoi Euronews.

Kontrata, e nënshkruar më 26 qershor mes Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës dhe përfaqësuesit të kompanisë lobuese, shqiptaro-amerikanit Avni Mustafaj ka hyrë në fuqi më 3 korrik dhe është e vlefshme për një vit, thotë më tej mediumi.