Regjimi teokratik i Iranit në solidaritet me ‘flamingot’ e Tiranës - NACIONALE

Regjimi teokratik i Iranit në solidaritet me ‘flamingot’ e Tiranës

3 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Pavarësisht se në muajt e parë të këtij viti u vranë dhjetëra mijëra protestues të rinj në rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera iraniane, regjimi teokratik në Republikën Islamike të Iranit shfaqet fort i ‘brengosur’ për çështje mjedisore në Shqipëri. Mediat iraniane, përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, po përpiqen t’i shfrytëzojnë protestat në Shqipëri për të shtyrë agjendat e tyre kundër administratës së Trumpit, Izraelit dhe Perëndimit. Ndonëse Irani mban rekorde të zeza për nivele korrupsioni, për varfëri e krizë ekonomike, tellallët e këtij regjimi duan ta shohin të falimentuar investimin e paralajmëruar të Kushnerit në Zvërnec.

Col Mehmeti

11 qershor 2026
– Togfjalëshi në gjuhën farsi ‘Enqelāb-e Flamingo’ (انقلاب فلامینگو), që përkthehet si ‘revolucioni i flamingove’, është bërë më i dendur në Iran sesa në Shqipëri.

Tash sa ditë, mediat e afërta me regjimin teokratik iranian po i japin pasqyrim maksimal protestave të fundit në Tiranë kundër investimit amerikan në Zvërnec.

Prej Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit e deri te analistë e influencerë në rrjetet sociale, tashmë është krijuar një front i ri që e zgjedh Shqipërinë si istikam lufte kundër Perëndimit.

Duke ‘empatizuar’ gjoja me shqetësimet mjedisore në bregdetin shqiptar, regjimi teokratik në Teheran po shpërndan gjallërisht lajme e analiza mbi Shqipërinë.

Përshtypja që krijohet nga ky mbulim medial është se njerëzit e rëndomtë po i kundërvihen elitave të pasura dhe se kapitalizmi nuk paska qenë hajr për shqiptarët.

Kur diplomacia iraniane derdh lotë krokodili për “shitjen e sovranitetit shqiptar”

Vetë diplomacia iraniane është vënë në ballë të kësaj fushate.

Kështu, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Emsaeil Baqaei, nuk ngurroi të shigjetonte nga larg me komente në kurriz të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Qetësohu, zoti kryeministër! Ishit Ju, zotëri, që e filluar këtë. Ndaj…ju duhet të ‘përballeni me muzikën’”, shkroi Baqaei të martën në llogarinë e tij në platformën ‘X’.

Zëdhënësi i diplomacisë iraniane nuk u kursye as me akuza të tjera ndaj Qeverisë shqiptare për “shitje të sovranitetit kombëtar”.

Ai, madje, përdori në gjuhën shqipe edhe pankarta nga protestat, si “Jo korrupsionit!”, “Duam drejtësi!”, dhe “Rama ik!”.

Mediat iraniane me ‘gajle’ të mëdha: “Kapitalizmi po i bën zarar Shqipërisë”

Gjatë ditës së enjte, mediat iraniane e kanë vënë Shqipërinë në epiqendër të lajmeve nga bota.

Një nga mediumet iraniane “Khabaronline” ka rezervuar një artikull të gjatë që i kushtohet i tëri kryeministrit Rama.

“Tirana në hijen e kapitalizmit të plakur”, është titulli editorial i këtij mediumi teksa bën një portret fare të zymtë gjendjes në Shqipëri.

Nëse më shumë se një dekadë më parë, kryeministri i gjatë i Shqipërisë, artisti Edi Rama po bojatiste fasadat e zgjyrta të ndërtesave komuniste të Tiranës dhe po e vendoste veten si reformator i moderuar, sot, më 2026, këto ngjyra të hareshme kanë rënë. Përtej këtyre shtresave ngjyra-ngjyra qëndron realiteti i ashpër, i hidhur dhe i zymtë i Shqipërisë, një vend i kurthuar mes luksit perëndimor dhe varfërsisë së thellë brenda”, shkruan mes të tjerash ky medium.

Media të tjera, si “Qudsonline”, e kanë vënë në shënjestër edhe dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner.

Ky medium i mban ‘gajle’ ujdhesës së Sazanit dhe gjoja dëmtimit të saj nga investimi fillestar i kompanive në pronësi të Kushnerit.

Procedurat administrative dhe qeveritare për dhënien e një hapësire të mbrojtur për investitorë që donin të ndërtonin një resort u kryen shumë më shpejt dhe shumë më lehtë se zakonisht, dhe u lëshuan leje të paligjshme”.

Në anën tjetër, llogari të caktuara iranianësh kanë gërmuar mes ‘vjetërsirash’ nga koha kur Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës simpatizonte regjimin islamik që erdhi në fuqi më 1979.

Në këto vite flirti, ku urrejtja ndaj Perëndimit ishte ngjitësi kryesor, ishte përkthyer në persisht njëri nga librat e Enver Hoxhës që gjente apel ndër militantët iranianë.

Lexo edhe: Iran 1979: Marrëzia shqiptare e Enverit me muxhahedinët

Plani për sabotimin e investimit amerikan sipas modelit të Beogradit

Në këtë pasqyrim të vazhdueshëm të ngjarjeve në Tiranë nuk mungojnë as edhe perspektiva të tilla ku shfaqet gëzimi se protestat aktuale po e dobësojnë pozitën e Trumpit në Evropë.

Sidoqoftë, protestat shqiptare kanë ndikim të madh në pozitën e Trumpit në Amerikë dhe Evropë. Trumpi është nën trysni të madhe. Duket sikur ata do të tërhiqen nga projekti. Sepse është e mundur që njerëzit e zakonshëm ta rrëzojnë qeverinë. Trumpi ndaloi ashtu që një ndryshim politik në Shqipëri të mos i japë fund emrit të tij”, shkruan një influencere iraniane.

Shpresa që do të sabotohet projekti investues i familjes Trump në Shqipëri është fuqizuar nga një rast i ngjashëm në Serbi.

Kompania e Jared Kushnerit, në kuadër të një plani zhvillues, parashikonte të bënte një investim në vlerë prej 500-milionë dollarësh për ndërtimin e një kompleksi luksoz hotelierik në Beograd.

Qeveria serbe kishte nënshkruar një leje për shfrytëzim 99-vjeçar dhe kishte kaluar ligje të posaçme për të, duke ia hequr statusin e trashëgimisë së mbrojtur kulturore.

Kur kishin plasur protesta në nëntor të vitit të kaluar, disa javë më vonë kompania e Kushnerit hoqi dorë nga plani duke thënë se projekti duhet “të bashkojë më shumë sesa të ndajë”.

“I përqeshuri të përqesh”

Megjithëse regjimi islamik në Teheran ka luksin që ta projektojë veten edhe në Shqipëri, imazhi i tij i vetëm është ai i lidhur me autokracinë, tiraninë dhe shtypjen e të drejtave të njeriut në Iran.

Shembulli më domëthënës i kësaj janë protestat që nisën më 28 dhjetor të vitit të kaluar duke pasur si vëng krizën e thellë ekonomike.

Të mbizotëruara kryesisht nga breza të rinj, protestat ishin sfida më serioze ndaj regjimit të ajatollahut tashmë të vrarë, Ali Khamenei.

Si pasojë e dhunës shtetërore nga ana e policisë dhe shërbimeve të tjera të sigurisë, vlerësohet se numri i viktimave në radhët e demonstruesve iranianë shkon deri në 36 mijë vetë.

Më 28 shkurt të këtij viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit dhe proksive të tij në Lindjen e Mesme.

Goditjet ajrore, si pjesë e operacioneve të koduara ‘Epic Fury’ dhe ‘Roaring Lion’, vetëm në ditët e para mësynë mbi 2 mijë caqe në Iran, duke qëruar fizikisht gjithë piramidën udhëheqëse të regjimit nga Ali Khamenei e poshtë.

Në anën tjetër, hakmarrja iraniane nuk ka kursyer as Shqipërinë dhe botën shqiptare.

Si shkas për një gjë të tillë fillimisht shërbeu kampi i Manëzës, ku shteti shqiptar që nga 2013-a mori zotimin që të strehonte afër 3,000 pjesëtarë të Organizatës Popullore Muxhahedine (MEK) që është kundërshtare e regjimit në Teheran.

Meqë Irani i druhej ndonjë aventure ushtarake, shërbimet e tij inteligjente kanë nisur hakmarrjen ndaj shtetit shqiptar nëpërmjet luftës kibernetike.

Lexo edhe: Vullnetarë shqiptarë për Iranin: ‘ekspertë’ sigurie, portale e faqe anonime

E tmerrshmja ushtri kibernetike e Iranit

Vetë Garda Revolucionare në Iran rrah gjoks se Irani “është fuqia e katërt në botë mes ushtrive kibernetike.”

Se deri ku mund të shkojë fuqia kibernetike e Teheranit, pësimi i turqve është i mjafueshëm.

Më 31 mars 2015, gjysma e Turqisë, 44 provinca nga 81 sosh sa ka ky shtet, ose 40 milionë banorë përfshirë edhe Ankaranë edhe Stambollin, përjetuan ndërprerje të rrymës elektrike që zgjati për nja dymbëdhjetë orë të mira.

Turqia për këto orë u kthye në “kohën e gurit” ku gjithçka ndaloi: kompjuterë, aeroporte, trafiku ajror, semaforët, spitalet, ndriçimi elektrik, liftat, si dhe rrjetet e ujësjellësit e ato të kanalizimit.

Një sulm i tillë (malware) erdhi prej Iranit si një dëshmi për potencialin e frikshëm që kishte armata e tij kibernetike.

Nga 2021, shërbimet informative iraniane kanë sulmuar vazhdimisht infrastrukturën digjitale në Shqipëri.

Agresioni kibernetik iranian ishte i tillë që filloi me ‘korrje emailash’ (email harvesting) e sulme ndaj faqeve qeveritare që ofronin shërbime.

Lexo edhe: Anatomia e hakmarrjes së Iranit mbi shqiptarët: Lufta 2021-2025

Hëpërhë, dy shtetet shqiptare vazhdojnë të jenë zëshëm në një vijë me ShBA-në kundrejt teokracisë islamike në Teheran.

Së fundmi, Qeveria shqiptare e listoi Gardën Revolucionare si terroriste. /Nacionale/

Lajme të ngjashme