Anatomia e hakmarrjes së Iranit mbi shqiptarët: Lufta 2021-2025
Hakmarrja e Republikës Islamike të Iranit nuk do ta kursejë as Shqipërinë e as Kosovën. Ndonëse jo me raketa balistike apo dronë, Teherani tashmë e ka filluar kiberluftën. Para tre ditësh, hakerët iranianë e demonstruan fuqinë e tyre me paralizimin e shërbimeve digjitale të Bashkisë së Tiranës. Doktrina e luftës asimetrike, siç e kanë shestuar strategët atje në Iran, përfshin nxitjen e hakerëve iranianë për paralizim të internetit (DDoS), goditje të faqeve qeveritare e vjedhje të të dhënave personale. Më 2015, edhe Turqisë së Erdoganit iu dogjën keq mustaqet: një kibersulm i la pa rrymë 40 milionë turq dhe vendin e ktheu në lesh ku s’funksionoi pothuajse asgjë elektronike pos qerreve me kuaj. Kurse më 2022, Irani i vodhi Shqipërisë pa hesap të dhëna konfidenciale – me disa prej tyre u përpoq të mbillte destabilizim edhe në Kosovë.
Col MEHMETI
23 qershor 2005 – Tani kur janë bërë më shumë se njëzet e katër orë prej operacionit spektakular amerikan “Çekani i Mesnatës”, me ç'rast u goditën tri caqe nukleare në Iran, hakmarrja iraniane duket se do të jetë e natyrës kibernetike.
Departamenti i Sigurisë së Atdheut (DHS) në Shtetet e Bashkuara sot ka paralajmëruar se ekziston rrezik i shtuar nga sulme kibernetike që do të ndërmerren nga akterë shtetëror iranianë.
Sipas këtij Departamenti, ka të ngjarë që aktivistët hakerë (“hackativists”) të shtojnë sulmet kibernetike duke shënjestruar rrjetet e brishta dhe infrastrukturën në Shtetet e Bashkuara.
Se sa keq është puna në truallin e luftës kibernetike e dëshmon edhe vlerësimi i fundit i bërë nga gjigandi i kibersigurisë, Radware.
Vetëm dy ditë pasi Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, më 12 qershor, filluan sulmet mbi Iran, ka pasur një “valë të paprecedentë” të aktiviteteve malicioze kundër infrastrukturës izraelite.
“Ka pasur një shtim prej 700% të sulmeve kibernetike kundër Izraelit dy ditë pas 12 qershorit dhe fillimit të sulmeve të Izraelit mbi Iran”, thuhet në raportin më të ri nga Radware.
Operacionet hakmarrëse iraniane, të sipërmarra nga akterë shtetërorë dhe grupe proiraniane të hakerëve, janë të përqëndruara në goditje të tilla, si sulme DDoS, përpjekje për t’u përbiruar në infrastrukturën kritike, si dhe vjedhje të të dhënave.
Sulmet e tilla kibernetike nga Irani shënjestrojnë caqe të tilla si webfaqet qeveritare, institucionet financiare, kompanitë e telekomunikimeve dhe infrastrukturën kritike.
Armiku iranian te portat shqiptare
Lufta asimetrike e Iranit (asymmetric warfare) ka prekur edhe botën shqiptare.
Të premten, hakerët iranianë të ‘Homeland Justice’ kanë bërë me dije se Shqipërinë e kanë cak.
Me anë të një kërcënimi të afishuar në Telegram, aktivistët hakerë kanë dërguar porosi kërcënuese ndaj shtetit shqiptar për shkak të strehimit të disidentëve iranianë në kampin e Manëzes.

“Po endeni buzë vdekjes”, fillonte mesazhi i kibersulmit iranian. “Mbi tre mijë terroristë u vendosën në Shqipëri. Toka shqiptare u detyrua t’i strehonte këto egërsira të plakura. Është mjaft e kuptueshme për shqiptarët mikpritës”, shkruante mesazhi i shpërndarë përmes aplikacionit rus.
“Shpresojmë që iranianët (që tani kanë të drejtën ligjore të lansojnë raketat e tyre të mbinatyrshme në kampin e Manëzes) ta kuptojnë këtë.”
'Homeland Justice', i cili qe përshirë edhe më parë në sulme kundër institucioneve shtetërore të Shqipërisë, ka treguar muskujt duke e paralizuar faqen e Bashkisë së Tiranës.
“Shërbimet e qytetit janë ndërprerë. Ne ju kërkuam të dëbonit terroristët e MEK-ut nga toka shqiptare. Por ju i pranuat ata si refugjatë politikë dhe iu dhatë lehtësira të tilla si letërnjoftime e pasaporta të falsifikuara,” është thënë në mesazhin iranian.
Sulmi kibernetik i së premtes e gjunjëzoi për ca kohë infrastrukturën digjitale të Tiranës.
Webfaqet qeveritare u katandisën offline, kurse shërbimet e transportit dhe lëshimi i dokumenteve zyrtare u pezullua.
Kjo i vuri mbi 800 mijë banorë të kryeqytetit shqiptar përballë rrezikut të cenimit të të dhënave të tyre private.
Edhe Turqinë e Erdoganit e kishte gjetur belaja
Vetë Garda Revolucionare në Iran rrah gjoks se Irani “është fuqia e katërt në botë mes ushtrive kibernetike.”
Se deri ku mund të shkojë fuqia kibernetike e Teheranit, pësimi i turqve është i mjafueshëm.
Më 31 mars 2015, gjysma e Turqisë, 44 provinca nga 81 sosh sa ka ky shtet, ose 40 milionë banorë përfshirë edhe Ankaranë edhe Stambollin, përjetuan ndërprerje të rrymës elektrike që zgjati për nja dymbëdhjetë orë të mira.
Turqia për këto orë u kthye në “kohën e gurit” ku gjithçka ndaloi: kompjuterë, aeroporte, trafiku ajror, semaforët, spitalet, ndriçimi elektrik, liftat, si dhe rrjetet e ujësjellësit e ato të kanalizimit.
Një sulm i tillë (malware) erdhi prej Iranit si një dëshmi për potencialin e frikshëm që kishte armata e tij kibernetike.
2021-2025: Agresioni kibernetik mbi Shqipërinë
Edhe Shqipëria u ballafaqua me disa valë sulmesh kibernetike të ndërmarra prej akterëve shtetërorë iranianë.
I pari sulm u bë sefte më 2021 dhe të tjerët pasuan një vit më vonë.
Sipas një studimi që shkoqit përmasat e sulmeve iraniane mbi Shqipërinë, ‘raketat’ kibernetike të Teheranit fillimisht ranë në maj të 2021-s mbi rrjetin e faqeve qevertare.
Kjo do të pasohej me cenimin të vazhdueshëm të rrjetit në periudhën nga tetori i atij viti e deri në janar të 2022-s.
Faza e dytë ishte ajo që quhet “korrje emailash” (email harvesting) mes nëntorit 2021 dhe majit 2022.
Faza e tretë ishte ajo e ndërmarrë në mes të korrikut dhe shtatorit 2022 kundër sistemit kompjuterik të qeverisë shqiptare. Së andejmi, kjo goditje dërrmuese i bëri copë e grime të dhënat e shërbimeve qeveritare.
Ky sulm iranian nuk kurseu as shtetin tjetër shqiptar, Kosovën, pasi më 6 shtator 2022 disa faqe institucionale u paralizuan për ca kohë – bëhej fjalë qartazi për një sulm të llojit DDoS.
Një vit më vonë, në dhjetor 2023, sulmet kibernetike shënjestruan faqen e Kuvendit të Shqipërisë.
Edhe në janar të vitit të kaluar, agresioni iranian mbi Shqipërinë solli zarare të mëdha, me ç’rast u shkatërruan ose rrodhën të dhëna nga mbi 100 terabitë të sistemit informativ të Shqipërisë si dhe të dhëna të popullsisë.

Destabilizimi i botës shqiptare
Sulmi kibernetik i shtatorit të vitit 2022 u bë sebep që Shqipëria t’i shkëpuste përfundimisht marrëdhëniet diplomatike me Iranin.
Më 7 shtator të atij viti, kryeministri shqiptar Edi Rama kumtoi vendimin për dëbimin e stafit diplomatik iranian të cilit iu dha një afat prej 24 orësh për ta lëshuar tokën shqiptare.
Pavarësisht kësaj, shërbimet iraniane me sa duket fituan një epërsi të pabesueshme mbi Shqipërinë dhe Kosovën.
Kjo kishte të bënte me përkapjen e komunikimeve të brendshme, madje duke i çndryrë edhe nga Policia e Shtetit, me anë të të cilave synohej përhapja e panikut për gjoja atentate ndaj politikanëve të caktuar.
Më 19 shtator, media në Tiranë dritësuan një dokument të kapur nga grupet e hakerëve iranianë me anë të të cilit pretendohej se më 2021 qe planifikuar një atentat ndaj ish-kryeministrit Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti, si dhe ish-ushtarit të UÇK-së, Ismet Haxha.
Shqiptarë e izraelitë nën tytën iraniane
Lajmi mori jehonë edhe në mediat izraelite, si The Jerusalem Post, që i kushtoi një kronikë të tërë rrjedhjeve të informacioneve konfidenciale nga autoritetet e Shqipërisë si pasojë e sulmit të hakerëve iranianë.
Pikërisht kur Shqipëria po përballej me luftën kibernetike të Teheranit, edhe shtetasit izraelitë përjetuan terrorin kibernetik të hakerëve të sponzorizuar nga shteti iranian.
Një grup i vetëquajtur ‘Sharp Boys’, duke hakuar dhjetëra faqe turistike në Izrael, ia doli të vidhte të dhënat personale të mbi 300 mijë shtetasve izraelitë.
Ky grup pretendoi se mori të dhëna të tilla si numra letërnjoftimesh, adresa, informacione të kartelave bankare e kështu me radhë.
Armata kibernetike e Ajatollahut dhe Gardës Revolucionare
Lufta kibernetike (cyberwarfare) është pjesë e strategjisë ushtarake të Iranit, ose siç e quajnë strategët e tij ‘luftë e butë.’
Operacionet kibernetike janë të rrënjosuara në doktrinën e deterrencës siç e vizionojnë strategët ushtarakë të regjimit të Khameneit.
Përveç sponzorizimit të proksive (regjime proiraniane, formacione ushtarake e grupe terroriste), strategjia iraniane është e tillë që përqëndrohet edhe te mjetet e palëvizshme (non-kinetic means). Mu te këto të fundit përfshihen operacionet e inteligjencës dhe lufta kibernetike.
Ndër vite, Irani ka ndërtuar rrjete të tëra të grupeve me hakerë për të kryer rikonjicion, dezinformim, vjedhje të të dhënave, sabotime dhe operacione ndikimi.
Së fundmi, Irani po i përdor gjithnjë e më shumë mjetet e inteligjencës artificiale (AI) si pjesë të kiberarsenalit të vet – rrjedhimthi, kjo i ka bërë operacionet e tij më të zhdërvjellta, më efektive e më pak të kushtueshme.
Pas sulmit terrorist që Hamasi e kreu në Izrael më 7 tetor 2023, aktorët kibernetikë iranianë kanë përdorur mjetet që ofron AI për të sajuar imazhe propagandistike me qëllim që ta ndikohej sentimenti publik brenda Izraelit.
Edhe në prill të këtij viti, kur Irani ndërmori një sulm me dronë mbi Izraelin, kiberaktorët iranianë krijuan videoklipe e imazhe false me anë të AI-së që shfaqnin raketa e shpërthime gjatë natës.
Se kibernetika përbën sferën ku shteti iranian investon më së shumti flet fakti se qysh më 2012 Garda Revolucionare e Iranit e krijoi komandën e vet për mbrojtje kibernetike. /Nacionale/