Referendumi, Osmani: Serbët s'e shfrytëzuan mundësinë e dhënë për shkak të presionit nga Beogradi - NACIONALE

Referendumi, Osmani: Serbët s'e shfrytëzuan mundësinë e dhënë për shkak të presionit nga Beogradi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me referendumin e sotëm "për ose kundër" shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Në postimin e saj në Facebok, Osmani ka theksuar se, megjithëse Kosova u ofroi qytetarëve të komunave veriore mundësinë për të ndryshuar kryetarët aktualë, shumica e tyre nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. E gjithë kjo, sipas saj, ka ardhur si rezultat i presionit të Beogradit, duke ua mohuar të drejtën e votës qytetarëve serbë në veri.

"Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t'i largojnë kryetarët aktual dhe t'i zgjedhin kryetarët e rinj. Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi", tha Osmani.

Ajo ka akuzuar Listën Serbe dhe strukturat ilegale kriminale për presion ndaj qytetarëve për të penguar pjesëmarrjen e tyre në votim.

Në këtë kontekst, Osmani ka kritikuar “ndërhyrjen e paligjshme të Serbisë në procesin zgjedhor të Kosovës”, duke akuzuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq se nuk e ka mbajtur fjalën që u ka dhënë partnerëve ndërkombëtarë.

"Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë", tha presidentja e Kosovës.

Më tej, Osmani ka vlerësuar se Kosova ka demonstruar një nivel të lartë të maturisë, organizimit dhe respektimit të plotë të ligjeve dhe kushtetutës në këtë proces zgjedhor, duke i dhënë të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

"Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t'i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin. Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë", tha ajo.

Lajme të ngjashme