Reduktimeve u shtohen edhe prishjet në rrjet si shkak i reshjeve, KEDS thotë se janë në terren
Përveç reduktimeve me dy orë apo edhe më shumë pa energji elektrike, qytetarët që nga dje, si shkak i motit të ndryshueshëm në disa pjesë të vendit, po ballafaqohen edhe me një ‘goditje’ tjetër.
Kompania për Distribuim me Energji Elektrike KEDS, të dielen ka lëshuar njoftim se si pasojë e reshjeve të mëdha të shiu dhe erërave të fuqishme, në disa pjesë ka prishje të rrjetit të energjisë elektrike.
“Si pasojë e motit të keq me reshje të mëdha të shiut dhe erë të fuqishme kemi disa dalje të tensionit të mesëm jashtë punës dhe si rrjedhojë ka edhe prishje.
Ekipet e KEDS janë në terren në numër të shtuar për të vepruar sa më shpejt në identifikimin e prishjeve dhe rregullimin e tyre. Numri i ekipeve do të vazhdojë të rritet dhe shpërndahet në bazë të nevojave të terrenit”, thuhet në njoftimin e KEDS.
Nuk dihet ende, nësë këto prishje do të rregullohen gjatë ditës së sotme apo të zgjasin edhe më shumë.
Terri
Tash e më shumë se një javë, në Kosovë, kanë filluar reduktimet e energjisë elektrike.
Këto reduktime po bëhen 6 me 2 teksa plotë qytetarë po ankohen se redukimet po janë edhe me të gjata.
Kriza energjetike në mes të muajit gusht ka irrituar qytetarët të cilët mendojnë se gjatë muajve të dimrit situata me energji do të jetë më rënduese.
KEDS ka thënë se çmimi i larti i rrymës dhe mos-subvencionimi i energjisë nga qeveria janë disa nga arsyet pse ka reduktime.
Nga ana tjetër, Qeveria ka fajsuar KEDS për humbjet e rrymës që po bëhen për shkak të mos investimeve në rrjet.
Reduktimet po vazhdojnë.
Qytetarët ankohen për reduktime më shumë se 2 orë, KEDS-i thotë se orari po respektohet
Disa banorë të Fushë Kosovës po ankohen se ky orar nuk po zbatohet si duhet.
Më saktësisht tek banesat e serbëve, rryma gjatë ditës së djeshme është ndalë për më shumë se 3 orë. Madje të njejtit thonë se nuk ka pasur paralajmërim.
“Dje nuk kemi pasë rrymë prej orës 16:30 deri në 19 e 30 qaty diku. Edhe kjo ka ndodhë pa asnjë paralajmërim, domethënë nuk ka qenë në orar të reduktimeve”, thotë një qytetar nga Fushë Kosova.
Gjatë ditës së djeshme në faqen e KEDS, nuk kishte paralajmërim për punime në këtë lagje, përveç në pjesën pas hekurudhës.
“Nga TS 35/10 kV Fushë-Kosovë do të ndërprehet:
Dalja 10kV Bardh i Madh (kodi:15018018 ) nga ora 10:00 deri 15:00
Vendet: Lagjja 28, pjesa e Fushë-Kosovës pas Hekurudhës, Kuzmini dhe Bardhin e Madh.
Arsyeja: Mirëmbajtje preventive”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
E zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala në një përgjigje për gazetën ka thënë se parimi i dy orëve po respektohet, përderisa rrymë mund të mos ketë më shumë se dy orë vetëm në pjesët ku ka punime dhe se ato paralajmërohen.
“Parimi i dy orëve po respektohet, veç nëse ka intervenime të mirëmbajtjes. Na i kemi informu opinionin aty ku ka punime”, ka thënë Buzhala për gazetën.
Ndërkohë në një sondazh të bërë në grupin e Nacionales në rrjetin Viber, qindra persona kanë thënë se nuk po respektohen reduktimet e rrymes, përderisa vetëm një pakicë kanë deklaruar se orari po respektohet.
Madje, njëri nga lexuesit e gazetës ka thënë se që 5 orë nuk ka rrymë.