Reagon Zyra e BE-së për incidentin në veri: Duhet të kryhet një hetim i shpejtë dhe i plotë
Zyra e Bashkimi Evropian në Kosovë ka reaguar pas incidentit të ndodhur ne veri të Kosovë, ku një qytetar i nacionalitetit serb ka mbetur i plagosur.
Zyra e BE-së ka thënë se të gjitha institucionet përkatëse të sundimit të ligjit duhet të kryejnë një hetim të shpejt dhe të plotë.
“BE në Kosovë dënon incidentin e sigurisë, ku një serb i Kosovës është qëlluar dhe plagosur mbrëmë afër pikëkaklimit kufitar të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit. Të gjitha institucionet përkatëse të sundimit të ligjit tani duhet të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.” – thuhet në reagim.
Ndërsa nga ana e Policisë së Kosovës thuhet se në këtë incident dyshohet se janë përfshirë katër zyrtarë policorë, ku i plagosur ka mbetur qytetari serb Milan Jovanoviç, një natë më parë pranë Urës së Bistricës në Leposaviç.
“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.” - sqaron njoftimi.
Nga PK-ja kanë bërë të ditur se zyrtari në fjalë është suspenduar, bashkë me tre të tjerë që dyshohen për përfshirje në rast.
“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.”
The EU in Kosovo condemns the security incident in which a Kosovo Serb was shot and injured last night nearby the @Kosovo_Police checkpoint at the Bistrica bridge in Zvečan/Zveçan municipality.
— European Union in Kosovo (@EUKosovo) April 11, 2023
Çka ndodhi në veri?
Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë shqetësuese ku i jep të drejtë Listës Serbe për pretendimet mbi plagosjen e një qytetari serb në veri të Kosovës. Gjatë mbrëmjes së kaluar, Policia e Kosovës kishte deklaruar se “Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar.”
Në anën tjetër, Lista Serbe kishte pasur pretendim krejtësisht tjetër. Ata kishin denoncuar pikërisht policinë tonë për një gjë të tillë duke thënë se ekzistonin edhe “video të bëra nga kamerat”.
Por, fatkeqësisht Policia e Kosovës duket se u ‘dorëzua’ para Listës Serbe përmes një komunikate të dërguar sot për medie.
Ata e pranojnë se një zyrtar policor mund të jetë i përfshirë në gjuajtje me armë zjarri ku u plagos qytetari me përkatësi etnike serbe.
“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.” – shkruan Policia e Kosovës.
Siç edhe pritej, në lidhje me këtë ngjarje ka pasur reagime edhe nga Serbia. Shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se Policia e Kosovës e pranoi se mund të ishte shkaktuar nga një pjesëtar i saj. Tutje, ai tha se Policia e Kosovës ka gënjyer.
''Policia e Kosovës sapo pranoi se kishte qëlluar serbin Milan Jovanoviq dhe tregoi se gënjeu tërë ditën për serbin e qëlluar me armë, familjar, baba i tre fëmijëve që për fat të mirë mbijetoi’’- tha Petkoviq në rrjetin social ‘’Facebook’’.


