Hovenier pas plagosjes së qytetarit serb në veri: Jemi të shqetësuar, të bëhet hetim i besueshëm - NACIONALE

Hovenier pas plagosjes së qytetarit serb në veri: Jemi të shqetësuar, të bëhet hetim i besueshëm

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ngjarja në veri të Kosovës, ku mbeti i plagosur një serb e ku të përfshirë janë edhe disa policë të Policisë së Kosovës, ka ngjallur shumë reagime. Së fundmi, ka reaguar edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, duke treguar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një postim në Twitter, ambsadori Hovenier ka shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për këtë incident dhe ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe të besueshëm të ngjarjes.

"ShBA-të janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan/Zveqan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur." - shkroi z. Hovenier.

Në reagimin e tij, ai gjithashtu ka theksuar se të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë.

"Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë. Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi." - vijoi ambasadori amerikan.

Çka ndodhi në veri?

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë shqetësuese ku i jep të drejtë Listës Serbe për pretendimet mbi plagosjen e një qytetari serb në veri të Kosovës. Gjatë mbrëmjes së kaluar, Policia e Kosovës kishte deklaruar se “Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar.”

Në anën tjetër, Lista Serbe kishte pasur pretendim krejtësisht tjetër. Ata kishin denoncuar pikërisht policinë tonë për një gjë të tillë duke thënë se ekzistonin edhe “video të bëra nga kamerat”.

Por, fatkeqësisht Policia e Kosovës duket se u ‘dorëzua’ para Listës Serbe përmes një komunikate të dërguar sot për medie.

Ata e pranojnë se një zyrtar policor mund të jetë i përfshirë në gjuajtje me armë zjarri ku u plagos qytetari me përkatësi etnike serbe.

“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.” – shkruan Policia e Kosovës.

Siç edhe pritej, në lidhje me këtë ngjarje ka pasur reagime edhe nga Serbia. Shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se Policia e Kosovës e pranoi se mund të ishte shkaktuar nga një pjesëtar i saj. Tutje, ai tha se Policia e Kosovës ka gënjyer.

''Policia e Kosovës sapo pranoi se kishte qëlluar serbin Milan Jovanoviq dhe tregoi se gënjeu tërë ditën për serbin e qëlluar me armë, familjar, baba i tre fëmijëve që për fat të mirë mbijetoi’’- tha Petkoviq në rrjetin social ‘’Facebook’’.

Lajme të ngjashme