Petkoviq për qytetarin e plagosur serb: Policia e pranoi se gënjeu veç i kërkuam provat - NACIONALE

Petkoviq për qytetarin e plagosur serb: Policia e pranoi se gënjeu veç i kërkuam provat

3 vjet më parë

nga Rea Sefa

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq komentoi plagosjen për të cilën edhe Policia e Kosovës e pranoi se mund të ishte shkaktuar nga një pjesëtar i saj.

Ai tha se Policia e Kosovës gënjeu gjithë ditën lidhur me këtë ndodhi.

''Policia e Kosovës sapo pranoi se kishte qëlluar serbin Milan Jovanoviq dhe tregoi se gënjeu tërë ditën për serbin e qëlluar me armë, familjar, baba i tre fëmijëve që për fat të mirë mbijetoi’’- tha Petkoviq në rrjetin social ‘’Facebook’’.

Petkoviq u shpreh se Policia e Kosovës gënjeu deri në momentin kur ministrit Sveçla iu kërkuan provat. Dhe sipas tij kjo ka ndodhur për të vetmen arsye, se i qëlluari është një serb.

"Kur ne e thirrëm të ashtuquajturin Ministrin Sveçla, për të shfaqur evidencat dhe inçizimet nga një pikë kontrolli ilegale në Urën e Bistricës, ai u detyrua të pranojë GËNJESHTRËN që Policia e Kosovës nuk e qëlloi një Serb nga Zveqani. Tani të gjithë mund ta shohin se ROSU është drejtpërdrejtë përgjëgjës për këtë plagosje. Megjithëatë, edhe pse provuan të kriminalizojnë Milan Janoviqin në Prishtinë, ata nuk mund t’I bënin asgjë atij dhe është e qartë se ata e qëlluan atë vetëm sepse është një serb’’- u shpreh Petkoviq.

Ai thotë se po pret reagime nga Prishtina dhe Sveçla për një kërkimfalje dhe familjes së tij për horrorin e shkaktuar, dhe reagime ndaj dënimit të personave përgjegjës lidhur me këtë rast.

‘’A do t'i kërkojnë falje Prishtina dhe Sveçla Milan Jovanoviqit dhe familjes së tij për tmerrin që përjetuan?
A do ta dënojë ndonjë nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare plagosjen e Milan Jovanoviqit dhe gjakun e derdhur serb, të paktën me gjysmën e ashpërsisë që dënuan disa ngjarje të tjera? Jemi në pritje të reagimeve të tyre, sepse do të tregojë fytyrën e vërtetë të demokracisë për të cilën me sa duket ata deklarohen’’
- tha Petkoviq.

Ai ndër të tjera thotë se kjo pikë kontrolli ilegale duhet të hiqet, sepse shërben për abuzime ndaj serbëve.

‘’Tashmë është e qartë për të gjithë se pika e kontrollit ilegal e policisë së Kosovës në urën e Bistricës duhet të hiqet urgjentisht, sepse shërben ekskluzivisht për ngacmime dhe abuzime të serbëve, për të cilat Beogradi dhe Lista Srpska kanë paralajmëruar gjatë gjithë kohës,’’- u shpreh Petkoviq.

Si fund ai shprehet se sipas tij Policia e Kosovës e Kurtit në veri nuk është për paqe e siguri, por per terror e frikë ndaj serbëve.

‘’Pas kësaj ngjarje, askush nuk mund të pretendojë më se Policia e Kosovës e Kurtit në veri të Kosovës dhe Metohisë është aty për të ofruar njëfarë paqeje dhe sigurie, por përkundrazi - për të terrorizuar dhe frikësuar serbët’’- përfundon ai.

Lajme të ngjashme