Reagon KMDLNj pas vendimit të Kushtetueses: Prokuroria ta hetojë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë - NACIONALE

Reagon KMDLNj pas vendimit të Kushtetueses: Prokuroria ta hetojë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që rreth 40 milionë euro do t’u kthehen konsumatorëve, të cilët e kanë paguar rrymë për serbët në veri të Kosovës.

Kjo bazuar në një vendim që ishte marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në vitin 2012 – i cili sipas Kushtetueses, ka shkelur disa ligje.

Lidhur me këtë ka reaguar sot Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

“KMDLNJ-ja që nga përfundimi i luftës ka ngritur zërin për këtë diskriminim flagrant në baza etnike dhe politike të konsumatorëve të energjisë elektrike e që Avokati i Popullit, në përputhje me mandatin kushtetues e ka adresuar këtë shkelje në gjykatat kompetente të cilat fillimisht kanë kërkuar që të ndërpritet me pagesën diskriminuese të faturave dhe në të njëjtën kohë që të kompensohen qytetarët e Kosovës nga ZRrE që në mënyrë kriminale i ka plaçkitur 95 për qind të qytetarëve për dobi të 5 për qind të qytetarëve”, thuhet në reagim.

KMDLNJ-ja thekson më tej se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës siguron vetëm drejtësi të pjesshme (nëse ata do të kompensohen për plaçkitjet nga ZRRE-ja) ndërsa ndjekja penale e plaçkitësve do ta bënte të plotë mozaikun e kompensimit.

KMDLNJ-ja ka bërë të ditur se si mbikëqyrës i procesit të zhdëmtimit të qytetarëve – konsumatorëve të plaçkitur nga ZRRE-ja duhet të jetë një komision i pavarur nga Kuvendi i Kosovës që do të udhëhiqej nga opozita dhe një përfaqësues i shoqërisë civile.

“ZRRE-ja do të bëjë përpjekje që të bishtnojë në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por se duhet të caktohet një afat kohor, maksimumi 3 muaj që të përfundojë ky kompensim. KMDLNJ-ja thërret publikisht Prokurorin e Shtetit ta hetojë bazën ligjore në bazë të së cilës, që nga përfundimi i luftës u janë paguar faturat e rrymës një 5 % të qytetarëve duke dëmtuar 95 %, në baza etnike dhe politike që përbënë shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe që të merren masa ligjore ndaj shkelësve eventualë pavarësisht cilës qeveri i kanë takuar apo i takojnë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

KMDLNJ-ja kërkon hetime urgjente ndaj ZRRE-ja, ministrave Hekuran Murati, Elbert Krasniqi, Artane Rizvanolli dhe Rozeta Hajdari për vazhdimin e trajtimit diskriminues të qytetarëve – konsumatorëve të Kosovës në baza etnike dhe politike, qoftë duke paguar fatura, qoftë edhe duke shpërndarë fatura fiktive lineare prej 21 eurosh pavarësisht se mund të kenë shpenzuar rrymë disa qindra euro gjatë periudhës së faturimit.

Lajme të ngjashme