Raportohet se Kurti e Vuçiq janë pajtuar të takohen në baza mujore
Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që të takohen në baza mujore.
Të paktën kështu ka raportuar para pak çastesh Kanal10 duke u thirrur në burime diplomatike.
Thuhet që ky intensifikim pritet të zbatohet për shkak të mosarritjes së marrëveshjes gjatë ditës së sotme dhe mbajtjes së situatës në gjendje stabile.
Kujtojmë se edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në konferencën për media pas takimit i ka paralajmëruar liderët gjegjës se do të kenë përgjegjësi në rast të ndonjë përshkallëzimi eventual.
“Pra, ky s’është momenti për rritje të tensioneve. Ju ka thënë liderëve, ky ishte takim për menaxhim krizash. Në anën tjetër, jemi fokusuar në rrugën drejt normalizimit gjithëpërfshirës. Të dy liderët patën rastin të bisedojnë. Sigurisht që ka dallime sa i përket këndvështrimeve sa i përket statusit vendimtar. Është diskutuar edhe për tabelat për hyrje dalje të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Palët do të kenë përgjegjësi të plotë për çfarëdo përshkallëzimi në terren”, tha ndër të tjerash Borrell para gazetarëve.