Raportohet se Arben Vitia mund të rikthehet si ministër i Shëndetësisë - NACIONALE

Raportohet se Arben Vitia mund të rikthehet si ministër i Shëndetësisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Media të ndryshme në Kosovë kanë raportuar gjatë së enjtes se në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, mund të kthehet Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili e ka mbajtur këtë pozitë edhe më herët.

Ka qenë fillimisht Klan Kosova që raportoi një gjë të tillë, më pas edhe Periskopi, e së fundi në edicionin e lajmeve, edhe ATV.

Nacionale ka kontaktuar ish-ministrin Vitia për të marrë një qëndrim rreth kësaj, por i njëjti nuk është përgjigjur.

I njëjti, pas dorëheqjes nga pozita e ministrit, nuk ia kishte dalë të fitonte në zgjedhjet lokale në Prishtinë, kundër Përparim Ramës.

Kështu, ai u emërua drejtor i klinikës “OLIVE”. Nacionale, kontaktoi edhe me këta të fundit për t’i pyetur nëse kanë marrë ndonjë informacion apo dorëheqje të mundshme nga z.Vitia.

Nga klinika na u përgjigjen shkurt: “Nuk kemi informacione për këtë”.

Kush është Arben Vitia?

Sipas biografisë së publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Vitia ka lindur më 24 dhjetor 1973, në Prishtinë.

Ai ka diplomuar në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme. Gjatë vitit 2003-2004 ka punuar si Mjek në Mitrovicë.

Po ashtu, VV thotë se i njëjti, ka punuar si Këshilltar profesional në kompaninë “Agani” dhe në kompaninë “Keis”. Që nga viti 2010, ai është aktivist në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ku është angazhuar dhe ka drejtuar Komitetin për Shëndetësi.

“Në vitet 2013-2018 ka qenë Drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, e cilësuar si një nga drejtoritë me të suksesshme gjatë dy mandateve. Ka ndjekur trajnime dhe programe të shumta për shëndetin publik dhe menaxhimin në shëndetësi duke përfshirë programin IVLP “Public Health Issues in the US” në ShBA.” – thuhet tutje në shkrimin e VV-së rreth jetës së Vitisë.

Vitia, ka shërbyer si ministër në Qeverinë Kurti I dhe atë Kurti II, deri kur vendosi të kandidojë për kryetar të Prishtinës.

48.93%

Ndonëse i hyri garës me shumë optimizëm për ta marrë kryeqytetin e Kosovës, Vitia nuk ia doli ta fitojë përballjen kundër Përparim Ramës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai kishte marrë 48.93 për qind të votave, ndërsa Rama, 51.01 për qind.

Ky i fundit, ia kishte uruar edhe fitoren Përparim Ramës, për t’u heshtur më pas në jetën politike.

“Sipas rezultateve që kemi edhe nga komisionerët tanë, Prishtina tashmë ka një fitues, e ai është zotëri Përparim Rama. Shfrytëzoj rastin të falënderoj aktivistët e LVV-së, qytetarët e Prishtinës dhe zotëri Ramën po ashtu për një kulturë të përgjithshme dhe fushatë korrekte që karakterizoi Komunën e Prishtinës.” - tha Vitia në konferencë për medie.

Në fund, vlen të theksohet, se Kosova është pa ministër të Shëndetësisë tash e 76 ditë.

Lajme të ngjashme