Pyetje Kurtit: A do na pranojë BE-ja, me spitale të shndërruara në skena krimi? - NACIONALE

Pyetje Kurtit: A do na pranojë BE-ja, me spitale të shndërruara në skena krimi?

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Një javë më parë qeveria Kurti dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE. Krerët e vendit këtë hap e paraqitën para njerëzve si të arriturën më të madhe ndër vite, me fotografi e një pompozitet të paparë. Por, duket se ajo që liderët tanë nuk e kanë shumë me qejf ta flasin e mundësisht do të donin të mos ua përmendnim fare, janë të gjitha ngjarjet e tmerrshme që po përjetohen në mënyrë të përsëritshme brenda vendit, për të cilat, në një mënyrë a tjetër duhet të japin përgjegjësi.

Ngjarjet e fundit më makabre e më të dhimbshme që ndodhën brenda një periudhe shumë të shkurtër në vendin tonë, ndodhën nëpër spitale. Nëpër institucione shteti, aty ku kërkojmë shërim e mbështetje ndërsa supozohet të kemi besim e të ndihemi të sigurtë. Pra, ngjarje që bënë edhe tituj mediash të huaja, ndodhën në institucione shtetërore, apo të tilla që duhet të kontrollohen nga shteti.

Nisi me sulmin fizik ndaj një të moshuare në një shtëpi kujdesi në Pejë, ku në mënyrë që ta mbyllte më shpejtë si temë, qeveria e mjaftua me mbylljen e këtij institucioni, pa hyrë më thellë në hulumtime se si kontrollohen ato institucione.

Rasti tjetër edhe më tronditës, vrasja e gruas shtatzënë para repartit të Gjinekologjisë nga ish-bashkëshorti. Po, pati sërish reagime. Kur themi reagime e dimë të gjithë tashmë, flasim për reagime facebook-u ë, se nuk pati ndonjë dorëheqje, kërkimfalje a diçka të ngjashme – edhe pse një gjë e tillë u kërkua masivisht nga populli – pati vetëm statuse që përcillinin dhimbjen e keqardhjen e liderëve, të cilët në çdo rast të ngjashëm vazhdojnë të sillen si opozitë, e mundohen t’i hedhin fajin së kaluarës.

“Foshnja e pajetë futet në lavatriçe dhe nxirret copa-copa”, kështu tregoi një baba ngjarjen e tmerrshme të përjetuar në repartin e Gjinekologjisë në Pejë, ndërsa kërkon përgjegjësit.

Kur i shohim këto ndodhi, mendja na shkon fillimisht të individi, domethënë shkaktari i parë, infermierja, ish-bashkëshorti dhe me shumë mundësi një punonjëse sanitare. Por ama, realisht ku qëndron problemi? Si erdhi deri te këto ngjarje? Pse po vazhdojmë të shohim çdo ditë e më shumë lajme të ngjashme? A po bëhet mjaftueshëm për parandalimin e tyre? A po mbahet dikush përgjegjës?

Për të gjitha këto, do ta pyesnim një ministër Shëndetësie, do t’i kërkonim llogari për gjithë neglizhencën nëpër këto institucione që po shkon deri në atë masë sa të lejojë dhunë fizike, vrasje e edhe përdhosje të të vdekurve brenda institucioneve. Do ta pyesnim ministrin e Shëndetësisë, po ta kishim një. Kujtojmë se janë bërë mbi 70 ditë që Kosova nuk ka një ministër Shëndetësie. Duket se kryeministri ka vendosur që ai do të jetë i mjaftueshëm edhe në këtë sektor, pasi në njëfarë mënyre ka emëruar veten në krye të tij. Pra, kemi një shef të një Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi, i cili qëllon të jetë edhe kryeministri jonë.

Atëherë, a duhet t’ia drejtojmë të gjitha pyetjet Albin Kurtit, i cili ndër postimet e fundit në Faceboook, e ka aplikimin në BE, duke e injoruar krejtësisht ngjarjen e shëmtuar në spitalin e Pejës. Por një gjë e tillë, nuk duhet të vazhdojë më. Kryeministri duhet ta kuptojë që njerëzit kanë nevojë për një figurë shteti që do të dalë e të flasë e të gjejë përgjegjësit apo të mbahet vetë përgjegjës, pas çdo rasti që po ndodhë aty ku nuk duhet të ndodhë. Pas çdo rasti që po rritë më shumë mosbesimin në institucionet e shtetit. Njerëzit kanë shumë pyetje për të bërë e shumë llogari për të kërkuar.

Tani nëse Kurti, nuk është në gjendje të emërojë në ministër Shëndetësie të cilit do të mund t’i drejtoheshim, le të dalë e të japë llogari vetë ai për atë që po na shqetëson të gjithëve.

Aplikimi për anëtarësim në BE, është një hap që herët a vonë do të vinte e që të gjithë e dimë që do të zgjasë me vite. Lidhur me këtë dua vetëm t’ia kujtoj secilit se ky aplikim mund të mos finalizohet kurrë, sado që shfaqet çdo ditë si arritje e madhe, pasiqë jam e sigurtë që BE nuk pranon brenda vetes një vend, spitalet e së cilit, dita e ditës po i shndërrohen në skena krimi. Një vend i cili për muaj të tërë nuk është në gjendje të ketë një ministër Shëndetësie.

Prandaj, ndërsa duket që e gjithë vëmendja e qeverisë Kurti është drejtuar nga politika e jashtme – ku nuk është se po shkëlqejmë – t’ia rikujtojmë atij premtimin e bërë, se mbi të gjitha, prioritet për qeverinë e tij, do të jenë çështjet e brendshme.

Le të nisë të merret me popullin e të kontrollojë gjithë atë për të cilën ka premtuar e është votuar, ta bëjë më funksional e më të besueshëm sistemin e Shëndetësisë, Drejtësisë, Mbrojtjes, Ekonomisë e gjithçka tjetër qenësore për popullin, në mënyrë që edhe ai aplikimi i bërë për anëtarësim në BE, të mos pluhroset deri në harresë në raftet e Brukselit.

Lajme të ngjashme