Vargje shkruaj unë kryeministër, ju kujdesuni që mos të ketë më ‘engjëj në qiellin e pistë’
"Dy engjëj në qiellin e pistë" - kështu nis reagimi në Facebook i kryeministrit të Kosovës, pas vrasjes së një gruaje shtatzënë në oborrin e një institucioni shteti, për ta vazhduar më pas me fraza të kota.
''E vrau ai që duhej ta mbronte'', tha. Jo zotëri ata që duhej ta mbronin, nuk ishin aty dhe askush ende nuk na tregoi pse.
Kryeministri ynë është poet. Ai shkruan vargje kurdo që ka mundësi. Por, vargje shkruaj unë kryeministër, vargje shkruajnë ata që s’iu vjen gjë tjetër në dorë.
“Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë,” e thotë presidentja Osmani. Vërtetë presidente, vetëm kaq kishe për të thënë? A s’duhej përmendur edhe fakti që ende s’kemi një kryeprokuror?
Persona që i japin merita vetes vend e pa vend, do të duhej të dinin të merrnin edhe pak përgjegjësi për këtë ngjarje tronditëse. Por jo, s'pamë asnjë 'na falni', asnjë 'dështuam', asnjë 'jap dorëheqje', nga asnjë prej atyre që duhet ta ndjejnë veten sadopak përgjegjës për komfortin që është krijuar në këtë vend për të vrarë kaq lehtë.
Një ngjarje makabre, e dyta në pak ditë, këtë herë ndodhi në oborrin e spitalit, një institucion që tash e 100 ditë nuk ka dikë në krye. Ndoshta vetëm ndoshta po të kishte një ministër Shëndetësie, do të diskutohej edhe çështja e sigurisë në atë vend. Ndoshta s'do të ishte aq e thjeshtë për një të shkarë nga trutë të futej e të merrte jetë në një vend ku lindin jetë, e më pas të largohej pa të keq.
Reagime vajtuese edhe nga ministrja e Drejtësisë. Moj zonjë, a s'është më e udhës të veprosh në atë që drejton e që këto të ikurit nga mendja të mos bredhin duke dhunuar e vrarë pa frikën se do të dënohen? A s'është më e udhës që të gjesh forma për të ndryshuar mentalitetin e krijuar se drejtësia në këtë vend është sa për të thënë?
Po ti ministër i Brendshëm që ke zgjedhur heshtjen? Si ka mundësi që vritet një grua nën urdhër-mbrojtjeje? Ku ishte policia që supozohej ta mbronte viktimën?
Është e trishtë që në raste të këtilla, shteti të bëhet njësh me popullin e të vajtojë në vend që të veprojë. E thashë, për thurje vargjesh jemi ne, për të vajtuar jemi ne. Ju na tregoni se me çfarë sigurie do të dalim nesër në rrugë, kujt do të mund t'i drejtohemi, kujt do të mund t'i besojmë?
S’është vetëm një makth nate, po zgjat, po përsëritet, po ndodh realisht. Gratë po vriten çdo ditë.
Po vriten me sëpata në shtëpitë e tyre, po vriten me plumba në spitale, po vriten duke u torturuar nëpër banesa sepse dorasit me 100 dosje në polici lëvizin të armatosur në liri.
Faji është i të gjithë atyre që ne i kemi ulur nëpër karrige, nga të cilat po mjaftohen duke shkruar statuse facebook-u e duke shfaqur hipokrizi për diçka që si prek personalisht.
Në dy javë, dy vrasje. Ne e dimë, e dimë që këta engjëj shkuan në qiell. Po le të dalë dikush e të tregojë se çka do të bëjë që ky qiell të mos vazhdojë të mbushet më në këtë mënyrë.