Ku është Arben Vitia?
Ku është politikani që mori besimin e njëqind mijë njerëzve më 14 shkurt 2021 për t’i përfaqësuar në katër vitet e ardhshme? Ku është politikani më i lavdëruar pas Albin Kurtit nga simpatizantët e Vetëvendosjes? Pra, ku është Arben Vitia?
Duket se është e shkruar që shqiptarët me emrin Ben të “ecin vetëm”. Merreni Ben Blushin, për shembull. Ose Benin e vogël te “Beni ecën vetëm”. Ose edhe Arben Vitinë. Dy të parëve fati u është shkruar nga Kiço Blushi, autori/babai, por të dytit i është shkruar/shkruhet nga Albin Kurti.
Jo shumë kohë më parë, Arben Vitia ecte vetë i dhjeti a njëzeti. Bile, mund ta themi edhe vetë i njëqindmijëti sepse mori njëqind mijë vota. Ai ishte njëri prej figurave më të pëlqyera të Vetëvendosjes, madje dhe në ‘kampet’ kundërshtare politike. Benin e Vetëvendosjes nuk mund ta imagjinoje duke çelë profil të rremë në Facebook për të sharë njerëz tjerë. Ose, nuk mund ta imagjinoje duke bërë sulme të ulëta politike e morale ndaj kundërshtarëve. Madje, edhe në fushatën zgjedhore për Prishtinën, ai ngurroi të sulmonte ulët kundërkandidatin kryesor të tij, Përparim Ramën (e bëri një herë, por ashiqare ajo ishte ide e tjetërkujt). Beni ishte ndryshimi i madh brenda partisë që premtonte ndryshimin e madh. I moderuar, fjalëmatur dhe rezistent ndaj fanatizmit.
Mirëpo, përpjekjet e brendshme për tëhuajsimin e Arbenit nuk munguan. Është fjala për përpjekje brendapartiake.
Videospoti i lartpërmendur ku përqeshej Përparim Rama – jo veç për idetë por edhe për të folmen e tij – ishte ndoshta kulmi i kësaj përpjekjeje tëhuajsuese. Dhe si nënkulm mund ta marrim edhe një videospot që shfaqte Arben Vitinë derisa luante biliardo me shefin e tij, Albin Kurtin. A ka dy natyra më të kundërta në Vetëvendosje, ose edhe në gjithë teatrin politik të Kosovës, se Arbeni me Albinin? Asgjë në atë video nuk dukej e natyrshme. As Arbeni, as Albini e as topat e biliardos. E vetmja gjë e natyrshme dukej terri që nuk rrokej nga llampat mbi tavolinë.
“Qysh të njoh ty Ben, ki me na bë shumë kërkesa, po bonu gati për mbështetje të madhe,” – i thoshte Albini, Benit, në një dialog të inskenuar. Kush është kosovar që thotë “bë” në Kosovë, pashë zotin? Ne mund të themi “bërë”, “bo” e “ba” por asnjëherë “bë”.
Arben Vitia humbi në Prishtinë, anipse ishte favorit absolut për ta fituar garën. Sa për ta ilustruar më mirë fjalinë e mësipërme, mund të përmendim rreshtat e përsëritur vazhdimisht gjatë asaj kohe nga Tomë Gashi: “Edhe mu me m’qitë kandidat (VV-ja) fitoj!” Dhe po, ndoshta Tomë Gashi kishte të drejtë. Ai mund të fitonte sepse ndante fanatizmin e aktivistëve të Vetëvendosjes duke bërë fushatë natë e ditë dhe pa kursim nëpër televizione e nëpër komente në Facebook. Arben Vitia nuk ishte i tillë.
Humbja në Prishtinë duket se ndali edhe përpjekjet tëhuajsuese për karakterin e tij në Vetëvendosje.
Në faqen e tij në Facebook, ai nuk ka postuar që nga 14 nëntori. Pra, qe katër muaj. Edhe pse është udhëheqës i Vetëvendosjes për Prishtinë, ende, ai nuk është parë askund dhe asnjëherë publikisht që prej kohës kur humbi.
Vitia kishte qenë dy herë ministër i Shëndetësisë para se të kandidohej për të parin e Prishtinës. Së pari në Qeverinë Kurti I e më pas edhe në Qeverinë Kurti II. Gjatë mandatit të parë ndodhi një ngjarje e rëndë që sot duket edhe banale. Një i ri nga Gjilani që ishte kthyer nga Gjermania kreu vetëvrasje në konviktin ku ishte karantinuar. Ajo karantinë – marrë parasysh rrjedhën e pandemisë – mund të na duket sot e pakuptimtë dhe e panevojshme (sepse as dy javët e as dy muajt e ardhshëm s’ishin vendimtarë, siç u tha) por Arben Vitisë s’mund t’i lihej e gjithë barra e fajit. Ai po ndiqte rekomandimet e autoriteteve shëndetësore, e këto të fundit po shihnin se çka po bënte dynjaja.
Arben Vitia ndjeu gjithë peshën e përgjegjësisë dhe u shpreh se po e mendonte dorëheqjen, të cilën ndoshta edhe do ta kishte dhënë po të pyetej vetë.
Mandati i tij i dytë do të ishte edhe më i rëndë. Atij do t’i ndërhynin në punën e menaxhimit të pandemisë me kërkesën për hapjen e ekonomisë – pak para se të vinin mërgimtarët, në maj 2021 – bash në kohën kur vendet e tjera po përballeshin me valën më të rëndë të infektimeve deri atëherë. Ajo që pasoi ishte një mal me vdekje – shumë prej tyre të shmangshme – që përsëri goditën ndërgjegjen e Benit.
Për t’u rikthyer tri paragrafe në kohë. Pasi humbi garën në Prishtinë, Arben Vitia nuk u rikthye në pozitën e ministrit të Shëndetësisë edhe pse posti i tij mbeti vakant gjatë gjithë kohës sa ai ishte kandidat për kryetar të kryeqytetit. Në vend të tij, bash në kohën kur Vitia ishte gati të bëhej ministër u emërua Rifat Latifi.
Por, pse ndodhi ky margjinalizim?
“Në VV ka babë e jo ide. Ky fuqizim gallopant i Kurtit ka ndikuar që figurat tjera të mos jenë fare figura. Një ditë mund të jesh superyll i Qeverisë si Arben Vitia, e ditën tjetër të jesh një askushi hiç. Askush nuk e merr vesh ngritjen dhe rënien e figurave brenda VV-së”, – më tha politologu Shkodran Ramadani që dikur edhe vetë ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Vetëvendosje duket se ka margjinalizuar edhe njeriun e dytë më të pushtetshëm nga Vetëvendosjes në Qeverinë Kurti I, Haki Abazin. Ndërsa më herët, nga partia ishin larguar krejtësisht duke iu frikësuar fatit të margjinalizimit edhe figura tjera si Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Ilir Deda, Visar Ymeri, e të tjerë.
“Margjinalizimi i figurave të VV-së është deliberativ dhe strukturor: operojnë brenda një inxhineringu politik në shërbim të një njeriu. Prandaj edhe relevanca e tyre ka kuptim vetëm nëse shihet prej këtij prizmi.” – është fjalia e radhës që ndau me ne politologu Ramadani.

Nëse ai ka të drejtë, atëherë zhdukjen e përnjëhershme të Arben Vitisë mund ta intepretojmë me fjalët “s’po i vyen më asgjë, Kurtit”. Ta përsërisim, ai i mori plot njëqind mijë vota në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-tës dhe gjithë kjo masë e madhe votuesish që i dha besimin të ishte deputet i Legjislaturës së VIII në Kuvendin e Kosovës për katër vitet e ardhshme, mund të ndiejë dëshpërim ta shohë Benin e tyre derisa “ecën vetëm”.
Por, politologu Ramadani ka një përgjigje që e ofron si ilustrim edhe për këtë çështje.
“Simbolikisht, Vetëvendosje funksionon me gjuhën e numrave binarë të kompjuterëve: 1 dhe 0. Albin Kurti është 1, kurse gjithë tjerët janë një varg i gjatë i Zerove që forcojnë Njëshin, por pa të cilin nuk kanë fare peshë. Ato janë në garë me njëra-tjetrën, se cila prej tyre është më afër liderit. Mirëpo për partinë nuk ka fare rëndësi se cila zero është më afër liderit. Sepse zerot janë zero dhe aty janë vetëm për të forcar njëshin.”
Është e vështirë të mendohet Arben Vitia si një Zero që i shkon mbrapa Njëshit.
Por, ku është atëherë dhe a do të rikthejë peshën e tij politike? E vështirë të kemi një përgjigje në këtë pyetje.
Deklarata e plotë dhe pa ndërhyrje e z. Shkodran Ramadani:
Para ndarjes së Lëvizjes Vetëvendosje, kjo parti karakterizohej nga një aktivizëm vibrant ku Kurti edhe pse ishte dukshëm lideri, fuqia e vendimmarrjes ishte e shtrirë edhe përtej zyrës së tij. Gjatë viteve ishte konsoliduar një grup me disa figura që nuk lejonin rrëshqitjen e partisë në autoritarizëm. Kur u larguan ato figura që disa krijuan një subjekt të ri politik e disa u larguan nga politika aktive, u hap një mundësi e artë që Kurti të maksimalizojë pushtetin e tij brenda partisë.
Rritja e Vetëvendosjes dhe margjinalizimi i këtyre figurave në jetën tonë politike i dha edhe më shumë kredit Albin Kurtit, që tani e absolutizoi ndikimin në Vetëvendosje.
Suksesi politik i dha atij legjitimitetin që të ndryshojë edhe statutin e partisë, ndryshim ky që i dha të drejtë që përjetë ta udhëheqë VV-në.
Poashtu, fati i hidhur i atyre figurave dha një shembull se ku përfundojnë ata që largohen nga VV-ja, duke e rritur nënshtrueshmërinë ndaj liderit të atyre që kanë mbetur në VV. Deri para këtij ndryshimi, ka pasur të drejtë vetëm për dy mandate ta udhëheqë këtë subjekt. Ky realitet politik në VV ka ndikuar që brenda partisë admirimi normal për Kurtin si lider i zoti të eskalojë me fuqi marramendëse në adhurim të skajshëm për Kurtin si “lider i pagabueshëm dhe babë i pathyeshëm”. Këto ndryshime kanë ndikuar që Vetëvendosja të Kurtizohet dhe Kurti të Vetëvendosizohet. Këto janë bërë sinonime dhe fjalë të ndërshkëmbyeshme. Kjo parti më nuk shquhet për ndonjë ide a ideologji, por vetëm për një besim të verbër në figurën e të parit. Tashmë frika që ngjallte ajo parulla “Nuk ka babë, ka ide” është bërë realitet. Në VV ka babë e jo ide. Ky fuqizim gallopant i Kurtit ka ndikuar që figurat tjera të mos jenë fare figura. Një ditë mund të jesh superyll i Qeverisë si Arben Vitia, e ditën tjetër të jesh një askushi hiç. Askush nuk e merr vesh ngritjen dhe rënien e figurave brenda VV-së. Sepse aty vetëm lideri ka rëndësi. Simbolikisht, Vetëvendosje funksionon me gjuhën e numrave binarë të kompjuterëve: 1 dhe 0. Albin Kurti është 1, kurse gjithë tjerët janë një varg i gjatë i Zerove që forcojnë Njëshin, por pa të cilin nuk kanë fare peshë. Ato janë në garë me njëra-tjetrën, se cila prej tyre është më afër liderit. Mirëpo për partinë nuk ka fare rëndësi se cila zero është më afër liderit. Sepse zerot janë zero dhe aty janë vetëm për të forcar njëshin. Për Kosovën ndërkohë ky është lajm i keq sepse logjika politike brenda partisë transferohet edhe në institucione të Republikës së Kosovës sepse edhe Ministrat shihen si zero që janë në shërbim të të parit të Qeverisë. Për ta përmbledhur, margjinalizimi i figurave të VV-së është deliberativ dhe strukturor: operojnë brenda një inxhineringu politik në shërbim të një njeriu. Prandaj edhe relevanca e tyre ka kuptim vetëm nëse shihet prej këtij prizmi.
