Raportimet se është arrestuar një person për djegien e veturave në veri, policia s’ka informacione - NACIONALE

Raportimet se është arrestuar një person për djegien e veturave në veri, policia s’ka informacione

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa media në Kosovë kanë raportuar se është arrestuar një person i dyshuar për djegien e veturave në veri të vendit.

Megjithatë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi i ka thënë Nacionales se nuk kanë marrë informacione për ndonjë zhvillim të tillë.

“Nuk kemi raport për arrestimin e ndonjë personi. Nëse marrim informata, ua përcjellim.” – ka thënë ai.

Vetëm në 3 ditët e fundit janë djegur 8 makina, në raste të ndara në veri të vendit. E fundit, ndodhi në mesnatën e 1 prillit, ku u dogjën 3 sosh.

Blerim Vela, këshilltari i Presidentes Osmani ishte i pari, madje edhe para Policisë që mori rastin të japë një informacion të tillë.

“3 vetura të tjera të djegura në Leposaviq. Të diskredituara dhe me mbështetjen e pakësuar nga serbët e Kosovës, strukturat ilegale të Serbisë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese. Sundimi i ligjit do të mbizotërojë dhe çdo fajtor do të sillet para drejtësisë. Regjimi piroman i Vuçiqit do të dështojë.” – ka shkruar Vela.

Orë më vonë se Vela edhe Policia e Kosovës, doli me deklaratë më të detajuar në lidhje me djegien e këtyre tri veturave mesnatën e 1 prillit, çka e dërgoi në 8 numrin e veturave të djegura në vetëm 3 ditët e fundit.

“Më 1 prill 2023 pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur, në dy rate të ndara, janë djegur tri vetura që iu përkasin qytetarëve të nacionalitetit serb.

Njëri rast ka ndodhur, më 1 prill 2023, në orët e hershme të mëngjesit (3:40h), në Leposaviq, afër qerdhes së fëmijëve, ku veturat ishin të parkuara skaj rruge. Një veture me targa RKS i është vënë zjarri, po ashtu nga zjarri është përfshirë edhe një veturë tjetër me targa të Beogradit që ishte afër veturës me targa RKS. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin.

Rasti tjetër ka ndodhur po ashtu në Leposaviq, afër qendrës së sporteve, ku një veturë me targa RKS është djegur nga persona të dyshuar.” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.

Lajme të ngjashme