Rama tubim me shqiptarët në Itali, një mesazh për BE-në dhe një ftesë për diasporën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”, ka takuar shqiptarët e Italisë në Milano. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se shqiptarët e Italisë janë shëmbëlltyra e ribashkimit me Evropën. Ai pati një mesazh për BE-në dhe në anën tjetër ftoi shqiptarët që të investojnë në vendlindjen e tyre.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë këtij tubimi ka pasur edhe një mesazh për Bashkimin Evropian sa i përket zgjerimit.
Rama tha se është dashur që të fillojë lufta e Rusisë në Ukrainë për të kuptuar BE-ja rëndësinë e bashkimit.
“Sot shtet demokratike ose ia dalin të gjithë së bashkë në Europë, ose mbesim mbrapa në një Europë që sot është më shumë e sfiduar që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjermania ia doli të bashkohej pa lojëra politike apo për të pritur që gjermano lindorët të përshtateshin. Ndërsa BE u zvarrit me zgjerimin derisa rusët u shfaqen me luftën e parë pushtues për dekada duke e bërë Europën të kuptojë se duhet të bashkohet një orë e më parë përmes urave të demokracisë, jo të bashkohet me hapin e breshkës përmes burokracisë.”
Ai ka thënë se shqiparët në Itali nuk i kanë ndërruar emrat si shqiptarët në Greqi.
"Ne shqiptarët jemi përgjegjës të barabartë për të ardhmen e këtij kontinenti, një Europë që sot është e sfiduar si asnjëherë më parë. Nuk i ndërruat emrat si ata në Greqi, për një arsye që do mbete njollë turpi, në historinë e shoqërisë demokratike.” – ka thënë Rama.
Rama ka folur edhe për marrëveshjen me Italinë për pensionet, duke thënë se do të përfitojnë rreth 421 mijë qytetarë.
“Jeni afro 700 mijë banorë, me leje të rregullt qëndrimi. Jeni qytetarë dhe me të drejtë vote në vendimmarrjet demokratike të këtij vendi . Sipërmarrjet e shqiptarëve që kontribuojnë me taksat janë mbi 40 mijë. Studentët shqiptarë janë 10% e gjithë studentëve të huaj nga vendet jashtë BE, dhe mes të gjithë komuniteteve të huaja, ai shqiptar renditet me rezultate më të mira. Janë 421 mijë prej jush, që do të përfitojnë nga marrëveshja e sapo lidhur për pensionet me Italinë, ku falë angazhimit personal të kryeministres suaj këtu në Itali, mike e paepur e Shqipërisë, që është dhe një zëdhënëse e fortë e jona në BE, Georgia Meloni, ne ia dolën të vendosim më në fund një gur të çmuar dhe të munguar në atë kurorën e drejtësisë që ju e keni merituar për këtë atdhe të dytë tuajin.” – ka thënë ai.
Rama këtë tubim e ka përbyllur duke i bërë ftesë shqiparëve që veprojnë në Itali që të investojnë në Shqipëri.
“Ai që do kthehet më shpejt, do ketë më shumë vite në paqe, për shpirtin e ndarë në dysh. Nuk jeni të detyruar të zgjidhni o njërën o tjetrën mes të dyjave, sepse e keni mundësinë, këtu me halle andej me zemër. Por edhe me punë edhe me zemër, edhe këtu edhe atje. Koha e mirë e Shqipërisë ka ardhur. Koha e ribashkimit përfundimtar me familjen europiane.”
“Sa shumë është shtrenjtuar jeta juaj këtu në Itali, ndërkohë kam një ftesë për t'ju bërë, të gjithë shqiptarëve që punojnë në hoteleri turizëm, informohuni vetë, jo nga ekranet, jo nga kanalet e mbushura me vrer politikë, informohuni sa janë pagat, sa merr dikush që punon në hoteleri dhe bëni llogarinë. Kush vjen i armatosur me dijen, është i fituar.” – ka thënë ai.
Kujtojmë se Rama tubimin e parë e ka mbajtur me shqiparët e Greqisë në Athinë.