Rama shpalon tablon e 'errët' të gjendjes; deputetë të VV-së lëshohen në deklarime 'terr e zi' për të
Janë ngunjuar tërësisht në mbështetje absolute të shefit të tyre i cili nuk e ka mbështetjen të asnjë shteti të vetëm në botë për kursin e veprimeve në pjesën veriore të vendit; e për më tepër i dënuar nga bashkësia ndërkombëtare. Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, sot, i mprehën shkronjat ndaj Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, pasi ky i fundit, njoftoi se u ka dërguar “kumbarëve” të Marrëveshjes së Ohrit – Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz – një draft-Statut për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe. Deputetë politikisht mediokër si Armend Muja, Mimoza Kusari-Lila, Adnan Rrustemi, arsenalin e germave në Facebook e shkarkuan ndaj Ramës.
Rama, si kurrë më parë, në një konferencë të jashtëzakonshme për media dha një tablo të frikshme të gjendjes ku tha se “në lojë është fati i Republikës së Kosovës si tërësi” e jo vetëm i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Kosova, tha ai, gjendet para një rreziku të madh ndërkombëtar që i vjen si pasojë i lëndimit të thellë të marrëdhënieve me aleatët shtetkrijues të saj. Këtu, tha ai, ekziston një draft-Statut, saktësisht i paraparë për ditë të këtilla kur nyja gordiane e Asociacionit është e pazgjidhshme, dhe ky draft-Statut është hartuar nga nivele më të larta ekspertësh ndërkombëtar. Por, deputetëve të Vetëvendosjes, aq u bëri për seriozitetin e tablos së paraqitur nga Rama; zgjodhën të merren personalisht me të.
Muja, duke pandehur se po jepte deduksion të kulluar, dha vetëm një fjali të gjysmuar e cila s’kualifikohet as për një fjali të shëndosh. “Fort i kapur diku për krim e korrupsion dueht të jetë Edi Rama gjersa detyroht t’ia bëjë këtë mënyrë vetes publikisht para gjithë kombit shqiptar”, ka shkruar Muja.
“Duke dërguar statut për ‘Asociacionin’ në Berlin e Paris, Rama vetëm sa po e shpërfaq dhe forcon Asociacionin e tij me Vuçiqin”, ka shkruar Muja, derisa nuk ka shpjeguar se çfarë nënkupton me “Asociacion të tij me Vuçiqin”; mbase ka qenë duke e menduar Asocimin e tij me Vuçiqin, të cilin Rama nuk është se e ka fshehur ndonjëherë. Megjithatë, Muja s’e ka mjeshtëruar aftësinë për të bërë silogjizma si, të themi, shefi i tij Albin Kurti.
Nuk la pa reaguar as tjetri deputet, argumentativisht edhe më mediokër, Adnan Rrustemi, i cili platformën e tij në Facebook e ka veçse ditar brohoritje për shefin e tij. Madje, ai e nxorri edhe figurën redaktoriale të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, në formë mahie. “Rama paska dërguar draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe te Scholzi dhe Macroni. Kot i dërgon në Berlin e Paris pa i dërguar njëherë te Dejona Mihali”, shkroi deputeti.
Mimoza Kusari-Lila, më e shquara apologjete e Lëvizjes Vetëvendosje (kryesisht e pushteteve në kohë), madje tha se Kosova “nuk ka nevojë për shpëtimtarë” vetëofrues për draft-Statut të Asociacionit.
“Ne kemi nevojë për pronësi dhe elaborim të parimeve me në fokus drejtimin e shtetit dhe të drejtat e komuniteteve në Kosovë, me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Kusari-Lila.
Ndërhyrja e Ramës...
Situata në veriun e Kosovës, alarmoi Kryeministri i Shqipërisë në një konferencë për media, “po merr përmasat e një tragjedie politike për Republikën e Kosovës”. Situata që është krijuar sot është asisoji “që si kurrë më parë Kosova po fajësohet botërisht nga të gjithë aleatët e kombit shqiptar”.
Në dritë të kësaj, ai njoftoi për një draft-Statut për Asociacionin të hartuar nga nivele më të larta ekspertësh ndërkombëtar, i bërë saktësisht nëse do të vinte një ditë e tillë ku asnjëra palë s’do të pajtohej për Asociacionin.
“Nuk mund të rri më duke parë në kushtet kur realisht ajo që shoh duhet ndarë me të gjithë sepse është një kërcënim shumë i madh që nuk i vjen Kosovës nga Serbia, por i vjen nga reduktimi i marrëdhënieve me aleatët në një nivel ku e humbura e madhe është Kosova. Ky është shqetësimi im.”
Nuk është më çështje thjesht e fatit të Kurtit, tha Rama, “në lojë është fati i Republikës së Kosovës si tërësi”.
Deputetët në fjalë, megjithatë, një alarmim të tillë zgjodhën të mos e dëgjojnë, njëjtë si shefi i tyre.