Rama kërkon votën për Jehona Lushaku-Sadriu: E ka dëshmuar se ndryshimi vjen me vepra
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar të votohet kandidatja për deputete e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cila është edhe Drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.
Rama ka thënë se Lushaku-Sadriu ka rimëkëmbur arsimin në Prishtinë me reformën për mësimin tërëditor në pesë shkolla të Prishtinës.
“Si kryetar i Prishtinës, e kam parë nga afër përkushtimin, punën dhe vizionin e Jehonës për arsimin. Ajo është një grua lidere që e ka dëshmuar se ndryshimi vjen me vepra, jo me fjalë. Çdo skuadër ka një 9-sh, lojtarin kryesor. Prishtina e ka Jehonën, e cila në pak kohë e rimëkëmbi arsimin në kryeqytet. Me guxim dhe vendosmëri, ajo nisi reformën në arsim me mësimin tërëditor në pesë shkolla, duke krijuar një ndryshim të prekshëm për fëmijët dhe familjet tona.”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka thënë se si deputete, Jehona Lushaku-Sadriu do të punojë për arsim më cilësor dhe do të sjellë politika që ndihmojnë fëmijët, prindërit dhe mësuesit në gjithë Kosovën.
“Si deputete, Jehona do të mbrojë arsimin, do të punojë për mësim cilësor dhe do të sjellë politika që ndihmojnë fëmijët, prindërit dhe mësuesit në gjithë Kosovën. Mësimi tërëditor me Jehonën do të bëhet realitet në gjithë Kosovën, duke nisur nga pesë komuna. Unë e di sa shumë ka bërë Jehona për Prishtinën. Tani është koha që ajo të bëjë edhe më shumë për Kosovën!”, ka thënë ai.
(Pjesë speciale e marketingut)