Rakiq njofton se kanë formuar “shtabin e krizave” – kërkon nga serbët ta respektojnë EULEX-in dhe KFOR-in
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka njoftuar se për shkak të situatës në veri të Mitrovicës, është formuar "Shtabi i Krizave", i cili do të raportojë para mediave për situatën në terren.
Rakiq u bëri thirrje serbëve të veriut që të respektojnë KFOR-in dhe EULEX-in. Rakiq tha se duhet të ndihmohen përfaqësuesit e këtyre misioneve nëse kanë nevojë, transmeton Kossev.
Ai thotë se tensionet nuk janë zbutur dhe se po grumbullohen gjithnjë e më shumë qytetarë, por sipas tij edhe se kryeministri i Kosovës Albin Kurti me deklaratat e sotme “ndezi zjarrin” që sipas Rakiqit trembi familjet serbe në veri.
Ai shton se qytetarët nuk janë dhe nuk duan të bien në provokime duke menduar se Prishtina dëshiron një gjë të tillë.
“Ata vazhdimisht kryejnë veprime për të provokuar reagimin tonë dhe na fajësojnë se jemi shkatërrues dhe faktor përçarës – siç na quajnë ata”, tha Rakiq.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë, të përmbajtur, por edhe vigjilentë.
“Ne duam të shpëtojmë familjet tona, të qëndrojmë këtu”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje qytetarëve që t'i trajtojnë me respekt pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it.
“Prania e tyre është në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit, Rezolutën 1244. Kërkoj nga të gjithë qytetarët që të takojnë çdo pjesëtar të EULEX-it dhe KFOR-it dhe t'i ndihmojnë nëse kanë nevojë për ndihmë nga ana jonë”, tha Rakiq.
I pyetur nëse ka mundësi që në radhët tuaja të jenë futur elementë të huaj për të shkaktuar incidente, Rakiq thotë se “nuk është larg kësaj”.
“Ti po flet sikur je këtu në fushë”. Këtu ekziston një frikë e madhe se dikush mund të vijë në radhët tona dhe të shkaktojë një incident dhe të na akuzojë”, thotë Rakiq i cili shton se barrikadat janë vendosur për mbrojtje.
“Fakti që kemi vendosur barrikada do të thotë se duam të mbrohemi, që duam të qëndrojmë këtu”.
