Keqleximi: Qysh ia shtroi rrugën në Ohër Albin Kurti zbatimit të Asociacionit si i pari?
Bashkimi Evropian (BE), ShBA-ja dhe Kosova duken afër një përplasjeje të madhe. Ka të bëjë me Asociacionin. Dhe ka të bëjë me një lëshim të madh e banal të bërë nga pala jonë, e për të cilin, çuditërisht duke ende e painformuar presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
E kemi në një anë emisarin e Amerikës, Gabriel Escobarin, që thotë se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit nis me Asociacionin. E kemi në po të njëjtën anë emisarin e BE-së, Mirosllav Llajçakun, që e thotë të njëjtën gjë. Dhe e kemi... anën tjetër ku ndodhemi ne.
Kryeministri Kurti thotë nuk ka rend hierarkik të zbatimit të marrëveshjeve. Vjosa Osmani, presidente, tha se “Kosovës nuk mund t’i kërkohet të bëjë diçka që fare nuk është në marrëveshje”. A e ka lexu presidentja e Kosovës, marrëveshjen?
Kryeministri më nuk i thotë të njëjtat fjalë. E Besnik Bislimi, i bërë pishman, i thotë këto fjalë:
“...për metodologjinë kemi thënë se nuk mund të ndërtojmë metodologji për një prej pikave të marrëveshjes pa patur një plan të zbatimit për marrëveshjen në tërësi...”
Pra, këta nuk e mohojnë më që zbatimi ka nisur me Asociacionin. Ata ishin të pranishëm në takimin e 2 majit, ku u prezantua një draft që s’kishte lidhje as me marrëveshjen e 2013-s e as me marrëveshjen e 2015-së. Që ishte skandaloz.
Por, Albin Kurti në Ohër është pajtuar që të ndodhë një gjë e tillë. Lexojini pesë nenet e fundit të Aneksit të Zbatimit.
“Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.” – thuhet në pikën 8 të Aneksit. Pra, në mënyrë të pavarur mund të niset me Asociacionin.
Qe çka thotë pika tjetër:
“Rendi i paragrafeve të këtij Aneksi është pa paragjykim për rendin e zbatimit të tyre.”
Pra, mund të niset nga Neni 7, apo Neni 10. Pra, u hoq çdo mundësi që të kishte një rend hierarkik me bazë kohën e arritjes së marrëveshjeve. Pra, u vendos praktikisht që zbatimit të niste me Asociacionin.
“Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos bllokojnë zbatimin e asnjërit prej Neneve.” – thotë neni tjetër, që e betonon pozicionin se zbatimit bash me Asociacionin. A iu kujtohet që Albini tha se ka dërgu dokumente qysh Vuçiqi po e shkelë marrëveshjen? Eh, sipas BE-së e Amerikës zbatimi i marrëveshjes nuk ka filluar ende. Sepse ai zbatim fillon me Asociacionin.

Mbajeni mend, për këtë Aneks është pajtuar Albin Kurti. Bile, ka kërkuar edhe që ta nënshkruajë! Pra, një Aneks ku shtrohet rruga që zbatimi i Marrëveshjes Bazë të niste BASH ME ASOCIACIONIN.
Dhe që nisi bash me Asociacionin. Tash po na thonë, nuk shkruan në marrëveshje ashtu. Jo jo, shkruan në marrëveshje BASH ASHTU. Qe merreni, lexojeni. Dhe tregojani edhe presidentes Vjosa Osmani, sepse është dokument PUBLIK.
Por, problem me të lexuarit e me të kuptuarit e marrëveshjeve, problem serioz, ka dëshmuar në vazhdimësi Besnik Bislimi.
Qe çka thoshte ky person që është kryenegociator:
“Ne e shohim (Asociacionin) në nenin 10 tek marrëveshjet e kaluara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara... me gjasë sipas një interpretimit të Bashkimit Evropian, ata Asociacionin e shohin edhe tek pika 7, pjesa e parë, te vetëmenaxhimi.”
Tash, kryenegociatori na njoftoi të hënën në Bruksel se nuk kishte qenë i përgatitur t'i përgjigjej dokumenteve që i kishte dorëzuar Lajçaku. Tha, mora kohë deri të premten. E krejt kësaj s'po i vjen era e mirë. Pse? Sepse kjo qeveri e ka shtruar mundësinë që... Kosova të dënohet, e jo Serbia destruktive e armiqësore.