Qeveria ta hartojë statutin e Asociacionit, të mos shkojë e papërgatitur në Bruksel
Konstatim i përbashkët i BE-së dhe ShBA-së është se dialogu teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë i ka humbur kuptimi. Ata kanë kërkuar që palët të fillojnë të merren me çështje të karakterit politik, ku bën pjesë edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Monitoruesit e procesit të Brukselit i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të fillojë hartimin e draftit për formimin e këtij asociacioni.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikanë janë të vendosur që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e Brukselit. Në këtë drejtim, marrëveshja kryesore që synohet të zbatohet tani është ajo për formimin e Asociacionit të komunave më shumica serbe.
Njohësit e procesit të dialogut kanë ftuar Qeverinë e Kosovës që sa më shpejtë ta hartojë një draft të asociacionit, duke marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese.
Ata kanë bërë me dije për gazetën Nacionale se këtë çështje Kosova e ka obligim ndërkombëtar.
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë për gazetën se zvarritja e këtij procesi shkon vetëm në dëm të Kosovës. “Avancimi i të drejtave të komuniteteve pakicë i jep vlerë demokracisë kosovare. Nëse këto të drejta i shërbejnë integrimit të këtyre komuniteteve, ne s’duhet t'i shohim si rrezik. Tani kur kemi deklarim dhe pozicionim të zëshëm të partnerëve ndërkombëtarë rreth formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Qeveria e Kosovës duhet që, pa humbur kohë, të paraqesë draft-dokumentin për themelimin e Asociacionit – bazuar në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.
Kryeziu ka vlerësuar se zvarritje e kësaj çështje nuk është aspak në favor të Kosovës.
“Humbja kohë, stërzgjatja dhe zvarritjet e këtij procesi, paralelisht me mungesën e vullnetit politik për zbatimin e marrëveshjeve të arritura apo rikthimi i këtyre marrëveshjeve në tryezën e dialogut, janë faktorë favorizues për Serbinë, e jo për Kosovën. Prandaj, ne nuk kemi pse të jemi kopjues të politikave destruktive që shteti i Serbisë i bën suksesit potencial që mund të arrihet përmes procesit të dialogut”, është shprehur ai.
Kurse, analisti politik Shkëlzen Maliqi ka bërë me dije se Qeveria nuk duhet të shkojë në Bruksel e pa përgatitur.
Sipas tij, ekzekutivi duhet të fillon të merret seriozisht me temën e Asociacionit.
“Më mirë do ta kishte nëse do të ulej me ekspertët juridik vendor dhe ndërkombëtarë, që të përgatisë një statut të Asociacionit me vërejtjet e integruara të Gjykatës Kushtetuese. Mos të shkoj i papërgatitur në negociata, por me koncepte që pamundësojnë shndërrimin e Zajednicës në shtet brenda shtetit”, ka thënë Maliqi.
Sipas tij, në këtë mënyrë Kurti do t’i gëlltiste të gjitha deklaratat që më herët i ka bërë kundër asociacionit.
“Kurti do te duhej t'i gëlltitë shumë bretkosa të majme që janë rritur në moçalin e kundërshtimit të Zajednicës, si e quante, duke mos e parë si obligim ndërkombëtarë që del nga plani i Ahtisarit që edhe për Kurtin si Kryeministër aktual, mbete akt shtëtëformues”, ka thënë Maliqi.

Shtohet zërat se Qeveria e ka një draft të Asociacionit
Se fundi, janë shtuar zërat qe mendojnë se Qeveria e Kosovës e ka një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një intervistë për gazetën Nacionale ka folur për mundësinë e ekzistimit të një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai ka thënë se qeveritë e mëparshme nuk kanë pasur asnjëherë draft për këtë çështje.
“Është folur për një dokument të tillë në Prishtinë, është folur edhe për një statut të Asociacionit të komunave që qeveria e ka gati dhe po e mbanë nën mangë”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, ky statut nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Flitet se një dokument i tillë është punuar, është punuar më herët nga një organizatë ndërkombëtare. Ai dokument nuk është i bazuar në marrëveshje të Brukselit, ai dokument është përtej asaj marrëveshje dhe përtej pakos se Ahtisarit”, ka thënë Haziri.

Më herët, edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, kishte thënë se Qeveria e Kosovës ka një propozim për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Por, kryeministri Albin Kurti kishte mohuar pretendimet e eurodeputetes.
Ai ka thënë se Kosova e ka asociacionin e komunave, duke shtuar se Kushtetuta nuk toleron asociacion mbi baza etnike.
“Kosova e ka asociacionin e komunave. Mua si kryeministër mjaft po më del ky asociacion. Unë nuk jam në dijeni për ndonjë plan për asociacion të komunave me shumicë serbe. Kushtetuta nuk toleron asociacion mbi baza etnike. Dhe mos të harrojmë që nëse pyesni qytetarët e Kosovës, askush nuk e ka prioritet një asociacion të tillë, duan zhvillim dhe arsim”, ka thënë ai.
Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve, ku përfshihet edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurse, më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore të AKS-së.
Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se marrëveshja e vitit 2015 është kundërkushtetuese.
Sipas opinionit të Kushtetueses, kjo marrëveshje nuk është në përputhje me Kushtetutën në plotë 23 nene.

