Qeveria sërish zhgënjen zyrtarët publikë, as këtë muaj nuk ua qet shtesat e pagave - NACIONALE

Qeveria sërish zhgënjen zyrtarët publikë, as këtë muaj nuk ua qet shtesat e pagave

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Janë bërë katër muaj që ka filluar zbatimi i Ligjit të ri për Pagat e në Sektorin Publik, por i njëjti ende nuk po zbatohet në tërësi. Ministria e Financave dje ka bërë ekzekutimin e pagave të zyrtarëve publik për muajin maj. Por, as këtë muaj këta zyrtarë nuk i kanë marrë pagat e tyre me shtesa, të cilat iu takojnë me ligj.

Ndonëse Qeveria ishte zotuar se pagat me shtesa do ta dalin qysh në muajin prill, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, raporton gazeta Nacionale.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar disa zyrtarë nga sektor të ndryshëm për t`i pyetu për këtë çështje. Në kushte anonimiteti, ata kanë treguar se as këtë muaj nuk i kanë marrë paga me shtesa.

Shtesat nuk i kanë marrë as Policia e Kosovës, e cila prej javësh po përballet me rreziqe në veri të vendit.

As këtë nuk na kanë dal shtesat. Vetëm pagën bazë e kemi marrë. Prej shkurtit na kanë premtuar se do te na i qesin shtesat, por ende jo”, ka thënë një pjesëtar i policisë në kushte anonimiteti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë krenuar vazhdimisht me profesionalizimin dhe sakrificën e policisë, sidomos për ngjarjet e fundit në veri te vendit.

Duket se kushtet e rënda në të cilat punojnë policia ende nuk i ka bindur zyrtarët qeveritarë që të veprojnë në këtë drejtim.

Arsyetimet e qeverisë

Deri në momentin e publikimit të këtij teksti, Qeveria e Kosovës nuk ka lëshuar asnjë shpjegim se pse nuk i kanë ekzekutuar pagat me shtesa as këtë muaj.

Muajin e kaluar, Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një njoftimi të përbashkët kishin bërë me dije se korrigjimi-përshtatja e të dhënave në sistem të pagave, do të vazhdojë edhe në ditët dhe javët e ardhshme.

Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë të gjithë zyrtarët publik të Republikës së Kosovës, se sot do të disbursohen pagat e treta sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023. Edhe gjatë muajit prill, komisioni për shtesën për kushte specifike ka pranuar një numër të lartë kërkesash nga zyrtarët publik, dhe me qëllim që të evitohen gabimet, të gjitha kërkesat janë duke u shqyrtuar me kujdes dhe për këtë ende nuk ka përfunduar puna e komisionit. I njoftojmë të gjithë zyrtarët publik se pas përmirësimeve diferencën do ta marrin në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e ligjit për paga në sektorin publik”, është thënë në njoftimin e muajit prill.

Në njoftim ishte thënë se Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik po punon intensivisht në përshtatjen e të dhënave.

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik, në zbatim të Vendimit Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Thesarin e Shtetit/Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, përmes njësive për menaxhimin e burimeve njerëzore në institucionet e nivelit qendror dhe lokal, ka vazhduar punën gjatë gjithë muajit prill në plotësimin, përshtatjen dhe korrigjimin e të dhënave të të punësuarve në funksion të zbatimit efektiv të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimit të Qeverisë Nr.04/128 të datës 16.02.2023”, ishte thënë në njoftim, duke treguar se çka ishte prioritet gjatë muajit prill.

Gjatë këtij muaji, me prioritet, ekipet përgjegjëse kanë punuar në përfshirjen në sistem të pagave për (i) punonjësit që nuk u kanë dalë pagat në muajt e kaluar, (ii) punonjësit që janë rekrutuar/kanë lidhur kontratë me institucionet publike pas hyrjes në fuqi të Ligjit. Puna në shqyrtimin dhe vendosjen e ekuivalencës përkatëse për secilën pozitë, ndikohet jashtëzakonisht shumë nga numri i kërkesave, prandaj, ekipet do të vazhdojnë të punojnë edhe në ditët dhe javët e ardhshme deri në adresimin e plotë të çdo pasaktësie në listat e pagave”, kanë vlerësuar dy ministrit.

Ligji është dërguar edhe në Kushtetuese

Miratimi i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik kishte nxitur reagime dhe ankesa të shumta në vend. Madje, sipas opozitës dhe disa sindikatave, ky ligj është edhe ant-kushtetues. Për këtë arsyeje, në muajin prill, Avokati i Popullit e kishte dërguar ligjin në Gjykatë Kushtetuese.

Ky institucion kishte treguar se për këtë ligj kishte pranuar mbi 100 ankesa.

Ankesat e pranuara kryesisht kanë të bëjnë me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj. Ankesat e pranuara janë parashtruar nga subjekte të sektorit publik, si ankesa grupore, individualisht si dhe nëpërmjet sindikatave”, është thënë në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Partitë opozitare këtë ligj e kanë kritikuar edhe për vlerën e ulet financiare të koeficientit.

PDK, LDK dhe AAK kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë urgjente të rritet vlera e koeficientit.

Lajme të ngjashme