Qeveria s'e sulmoi Prokurorinë për Mujkën si për Nagipin: A është kjo shenjë 'emancipimi'? - NACIONALE

Qeveria s'e sulmoi Prokurorinë për Mujkën si për Nagipin: A është kjo shenjë 'emancipimi'?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Brenda disa muajve dy ish-zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes janë arrestuar për korrupsion. Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë me dije se zyrtarët në fjalë janë arrestuar për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Mirëpo, reagimi i Qeverisë dhe deputetëve të partisë në pushte nuk ka qenë i njëjtë ndaj këtyre dy arrestimeve.

Arrestimi i kryeshefin ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, i cili ka qenë kryetar i degës së VV-së në Mitrovicë, nuk ka nxitur reagime sikurse arrestimi i ish kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili në Vetëvendosje për disa vite kishte drejtuar Komitetin për Energji.

Për arrestimin e këtij të fundit, kishte reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, duke sulmuar sistemin e drejtësisë se po i lufton njerëzit e tij.

Kanë kaluar disa ditë nga arrestimi i Mujkës dhe askush prej VV-së apo Qeverisë nuk e ka marrë në mbrojtje ish-nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës.

Mujka është liruar nga arresti të dielën dhe tek pastaj ka shkruar një status në profilin e tij në “Facebok”, duke e mbrojtur veten.

Ai ka bërë me dije se asnjëherë nuk do të pranon të jetë pre e politikave ditore e partie.

Asnjëherë prej që jam pjesë e aktiviteteve politike nuk i kam ikur përgjegjësisë e drejtësisë dhe kjo do të vazhdoj derisa të frymoj. Por gjithsesi asnjëherë nuk do të pranoj të jem pre e politikave ditore e partiake dhe që unë të shfrytëzohem për t'u sulmuar e baltosur puna dhe sukseset e Qeverisë në përgjithësi dhe posaqërisht Kryeministrit në veçanti”, ka shkruara ai.

Ai ka pranuar se rruga që ka nisur do të jetë me mjaft sfida.

Rruga që kemi marrur është e gjatë, tepër e vështirë me shumë sfida u kurthe, por fatmirësisht është evidente se po shihet caku. Shumë vetë do të ndihen të turpëruar por mbi të gjitha edhe të çliruar nga puna e lodhshme e shërbyesit të djallit”, ka shkruar.

Statusin e tij e kanë pëlqyer disa deputetë dhe zyrtarë të lartë të VV-së, por askush prej tyre nuk e ka marrë mundin për ta mbrojtur publikisht.

Mbrojtja e Nagip Krasniqit nga pushteti

Krejt ndryshe ishte veprimi i VV-së pas arrestimit të ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit. Ky i fundit në mënyrë publike ishte mbrojtur nga zyrtarët më të lartë të VV-së.

Pas arrestimit të Krasniqit, vet kryeministri Kurti kishte marrë në dorë fushatën e linçimit të sistemit të drejtësisë. Në një seancë të Kuvendit të Kosovës, ai kishte drejtuar akuza të ashpra ndaj Prokurorit të Shtetit, duke thënë se qëllimshëm po i heton dhe arreston njerëzit e tij.

Në anën tjetër është fakt se dje pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi. Por, ky është fakti i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë se ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, ka pasur keqpërdorim marramendës që asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi drejtësisë”, ka thënë Kurti.

Ai kishte thënë se arrestimi i Nagip Krasniqit është bërë në mënyrë të qëllimshme.

Kurti kishte mbrojtur punën e Krasniqit, duke thënë se korporatës i ka sjell qindra miliona euro.

Prokuroria është shumë e zëshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka depinuar me dhjetëra fakte dhe dëshmi materiale për kapërdimë qe i ka gjetur atyre. Mirëpo zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimet e fakteve e dëshmimeve për keqpërdorime të me hershme ka qenë zero. Ndërkaq zelli për tu marrë me kryeshefin Krasniqi, i cili vitin 2022 bashkë me punëtoret e KEK-ut ia solli 107 milionë, ishte maksimal”, ka thënë Kurti.

Pas Kurtit në mbrojtje Krasniqit i kishin dal edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe shumë deputet të partisë në pushte.

Kjo fushatë e partisë në pushtet ndaj sistemit të drejtësisë ishte kritikuar nga opozita dhe shoqëria civile.

Ditën që është arrestuar Faruk Mujka, Prokuroria Speciale ka treguar arsyet e arrestimit të Mujkës dhe të një ish-drejtori të komunës së Mitrovicës së Jugut.

Gjatës bastisjes së shtëpisë së tij, sipas njoftimit, Mujkës i ishin gjetur edhe 60 mijë euro.

Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në këto dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro. Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.

Lajme të ngjashme