Qeveria rikthen çmimet tavan te nafta dhe derivatet e saj - NACIONALE

Qeveria rikthen çmimet tavan te nafta dhe derivatet e saj

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar vendimin e fundit lidhur me çmimin tavan në naftë dhe derivatet e saj.

Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.

"Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës", shkruan ndër tjerash në komunikatë.

Tutje, në njoftim bëhet e ditur se vendimi hyn në fuqi një ditë pas publikimit në gazetën zyrtare të Republikës, që do të thotë nga nesër.

Është interesant fakti se pak ditë më parë, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve në Kosovë, Fadil Berjani kishte thënë se meqenëse ka rënie të çmimit të derivateve në tregjet ndërkombëtare, kjo do të reflektojë edhe në Kosovë.

Ai në një përgjigje për Gazeten Nacionale ka thënë se aktualisht një litër naftë sillet nga 1 euro e 44 centë deri në 1 euro e 51 centë, ndërsa litra e benzinës është 1 euro e 30 centë deri në 1 euro e 38 centë.

Ka rënie të çmimit në Berzë dhe tregjet ndërkombëtare, ndonëse po reflekton edhe në Kosovë”, pat thënë Berjani.

Sipas tij, në fund të muajit mars, pritet të ketë stabilizim të tregut.

Ditëve në vijim pritet të ketë rënie të çmimeve. Sipas informatave nga Organizata Prodhuese OPEC, nga fundi i marsit pritet të ketë stabilizim të tregut”, kishte përfunduar ai.

Lajme të ngjashme