Qeveria mban pezull 37.5 milionë euro të komunave, paralajmërohet dërgimi i çështjes në Kushtetuese - NACIONALE

Qeveria mban pezull 37.5 milionë euro të komunave, paralajmërohet dërgimi i çështjes në Kushtetuese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa komuna të Kosovës kanë shprehur në mënyrë publike shqetësimet e tyre për bllokimin e mjeteve vetanake nga Ministria e Financave. Shifra e mjeteve të bllokuara nuk është e vogël. Asociacioni i Komunave të Kosovës ka tregua se janë bllokuar 37.5 milionë euro.

Kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e AKK-së kanë bërë me dije se ky veprim i Qeverisë është i kundërligjshëm.

Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk reflekton qeveria në këtë drejtim, çështjen do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka thënë për gazetën Nacionale se pezullimi i këtyre mjeteve nga Ministria e Financave është i paprecedent.

Komunave të Kosovës u janë bllokuar 37.5 milionë euro. Prishtina ka më se shumti, rreth 29 milionë. Pastaj ka Kaçaniku, Peja, dhe disa komuna tjera. Kanë qenë rreth 100 milionë, mirëpo me reagimin tonë ky e ka lenë që të zhbllokohen vetëm mjete e vitit 2022. Pra, neni nuk ka ndryshuar ashtu siç është dashur. Në këtë shqetësim e kemi ngritur edhe në këshill të kryetarëve, në një takim që e kemi pasur me kryeministrin, dhe kemi menduar se kjo çështje është zgjidhur”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka treguar se deri me tani komuna nuk kanë marrë asnjë sqarim nga Qeveria.

Këta nuk po japin asnjë sqarim. I kemi shkrua edhe kryeparlamentarit Konjufca, letër iu kemi nisë edhe anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit. Pra, të gjithë e kanë kërkesën tonë në mënyrë të bazuar dhe të shoshin se çka do të bëjnë”, është shprehur ai.

Sipas tij, demet që preken komunat nga ky pezullimi i mjeteve janë të mëdha.

Të hyrat vetanake me ligjet në fuqi përkthehen në investimet kapitale. Pra, nuk munden me u shfrytëzu për diçka tjetër. Duhet të dihet se shumica e kryetarëve të komunave këto para i kanë të trashëguara nga paraardhësit e tyre. Sepse shumë prej tyre pozitën e kanë marrë në vitin 2021. Kryetari i Prishtinës këto para i ka të trashëguara prej paraardhësit të tij, nuk i ka që i ka grumbullua vet”, është shprehur ai.

Ibrahimi ka bërë me dije se rruga e vetme do të jetë adresimi në Gjykatën Kushtetuese.

Ne si Asociacion nuk mundemi me dërgu çështje në Gjykatë Kushtetuese, sepse jemi OJQ, kurse kryetarët e komunave munden me e dërgu, nëse gjykojnë se ka shkelje kushtetuese. Sepse në këtë mënyrë kanë dal mbi Ligjin për Menegjimin e Financave Publike. Sepse aty që komunave duhet me iu kthy të hyrat vetanake. Por, ministri i ka nda vetëm për vitin 2022 i ka kthyer dhe jo për vitet tjera. Pra nuk i kthen, po i mban pezull, sepse nuk mundet me i marrë dhe me i shfrytezu, sepse ligji nuk ia lejojnë”, është shprehur ai.

Prishtina, komuna më e prekur

Nga pezullimi i këtyre mjeteve më se shumti është prekur Komuna e Prishtinës.

Kryetari i kësaj komune, Përparim Rama, ka bërë me dije se do t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave. Si Kryetar i Kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë. Janë 28.8 milion Euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade”, ka shkruar Rama në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka treguar për hapat që pritet t`i merr komuna.

“Kërkoj nga Ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale. Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Rama.

Opozita kërcenon me prishje të konsensusit

Kjo çështje dje është ngritura nga opozita edhe në Kuvendit. Përfaqësuesit e opozitës kanë bërë me dije se në Kuvend nuk do të ketë normalitet pa zhbllokimin e këtyre mjeteve.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka paralajmëruar se opozita nuk do ta përkrah asnjë marrëveshje ndërkombëtare pa zhbllokimin e këtyre të hyrave.

Po ju lus të mos bëni kësi skenash, sepse po na detyroni me shku në drejtime të pakthyeshme. Ju garantoj se nuk do të këtë normalitet në këtë kuvend nëse tentohet të cenohet pavarësia e autoriteteve lokale, e komunave. Nuk do të këtë asnjë marrëveshje ndërkombëtare dhe ju premtoj në emër të Grupit Parlamenat të LDK-së, po edhe në konsultim me grupet tjera të opozitës, se këtu nuk ka me pasë normalitetmë”, ka thënë Gashi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo është anit-kushtetuese.

Nuk e di a e din kryeministri Kurti, zv/kryeministri Bislimi që është e padrejtë, antikushtetuese dhe është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në një institucion kushtetues që ofron shërbime në të gjitha komunat e Kosovës, ndalja dhe pengesa e shfrytëzimit të të hyrave vetanake”, ka thënë Tahiri.

Kurse, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se qeveria është duke e zbatuar ligjin. “Kurse sa i përket Nenit 9.6 të Buxhetit që rregullon bartjen e të hyrave vetanake, ai nen është rezultat i amandamentit nga Grupi Parlamentar i LDK-së. Andaj nëse Kryetari nga radhët e LDK-së mendon se ky nen qenka problemi, e ftoj që ta dërgojë në Kushtetuese amandamentin e LDK-së”, ka shkruar Murati në profilin e tij në “Facebook”.

Lajme të ngjashme