Qeveria bllokoi të hyrat vetanake të komunave, opozita 'kërcënon' me abnormalitet të Kuvendit
Partitë opozitare kanë kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për bllokim të të hyrave vetanake të komunave të Kosovës.
Në seancës e sotme parlamentare, deputetët e AKK-së dhe LDK-së kanë bërë me dije se Ministria e Financave nuk po e zbaton Ligjin për Buxhetin, i cili është miratuar vitin e kaluar.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo është anit-kushtetuese.
“Nuk e di a e din kryeministri Kurti, zv/kryeministri Bislimi që është e padrejtë, antikushtetuese dhe është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në një institucion kushtetues që ofron shërbime në të gjitha komunat e Kosovës, ndalja dhe pengesa e shfrytëzimit të të hyrave vetanake”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se Qeveria nuk mund të sillet me këtë arbitraritet.
“E keni letrën nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, letrat e kryetarëve të Komunave, letrën e kryetarit të kryeqytetit. Mbi çfarë baze i ndalni të hyrat vetanake të komunave. A ka mundësi të na e sqarojnë kryeministri dhe ministri i Financave. Ndaleni këtë, sepse jeni duke i penguar edhe komunat që qeverisni me to. Në qoftë se ndërhyni në një pushtet të pavarur kushtetues, atëherë do të vazhdojë saga e shkeljeve kushtetuese”, është shprehur ai.
Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar për këtë çështje.
“Pra, ministri i financave me paaftësinë e tij të menagjimit të çështjes po tenton që të prek në mënyrë të drejtpërdrejt atë që është e paprekshme dhe është e rregullua me Kushtetutën e Kosovës, me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe me ligjet për financat lokale”, ka thënë Gashi.
Ai ka paralajmëruar se opozita nuk do ta përkrah asnjë marrëveshje ndërkombëtare pa zhbllokimin e këtyre të hyrave.
Sipas tij, në Kuvend nuk do të ketë normalitet pa zbatimin e ligjit.
“Po ju lus të mos bëni kësi skenash, sepse po na detyroni me shku në drejtime të pakthyeshme. Ju garantoj se nuk do të këtë normalitet në këtë kuvend nëse tentohet të cenohet pavarësia e autoriteteve lokale, e komunave. Nuk do të këtë asnjë marrëveshje ndërkombëtare dhe ju premtoj në emër të Grupit Parlamenat të LDK-së, po edhe në konsultim me grupet tjera të opozitës, se këtu nuk ka me pasë normalitetmë”, ka thënë Gashi.
Qeveria thotë se po e zbaton ligjin
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës.
Ai ka thënë se po zbatohet Ligjin për Buxhetin.
“Konsideroj se diskutimi që sapo bëri deputeti Gashi tashmë kishte përfunduar në seancë e buxhetit, argumentet i kemi ballafaquar atëherë. Çka mbetet është amandamenti i GP të LDK-së i votuar nga ky kuvend të cilin ne si qeveri duhet ta zbatojmë”, ka thënë Murati, duke shtuar se problemi është të amandamenti i LDK-së.
“Nëse keni pas problemin si Grup Parlamentar që ta përktheni atë që e mendoni në të shkruar, është problemi i juaj. Mirëpo, ajo që shkruan në buxhet do të zbatohen, ne nuk mund ta shkelim ligjin e buxheti. Në ligj të buxhetit në nenin e amandametit të propozuar nga ju thuhet se të hyrat vetanake nga viti 2022 barten në vitin 2023 dhe kjo është në përputhje me Ligjin për menaxhimin e Financave Publike dhe përgjegjësit”, ka thënë Murati.
Ndaj Muratit ka reaguar përseri deputeti Gashi.
“Keni tendencë t’i interpretoni gjërat mbrapsht. Nuk ki me pasë shancë që paret e komunave me i marrë. Janë burime vetanake, si me ja marrë dikujt paret prej xhepit. Kot je duke u munduar me bo arsyetime palidhje. Po do me prish koncensusin për marrëveshje ndërkombëtare”, ka deklaruar Gashi.
Ndaj kësaj cështje sot ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo përpjekje e Qeverisë është kundërkushtetuese.
“Jam thellësisht i shqetësuar pas informatave se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake. Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave. Si Kryetar i Kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë”, ka shkruar Rama.
Më tej, ai ka treguar projektet të cilat po bllokohen nga Qeveria e Kosovës.
“Janë 28.8 milion Euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade. Prandaj, kërkoj nga Ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale”, ka shkruar ai, duke shtuar se nëse këto mjete nuk do të barten shpejt, ky veprim do të konsiderohet i qëllimshëm.

