Drejtori i Financave në Pejë: Po tentohet që komunave t’u merren të hyrat vetanake të pashpenzuara
Drejtori i Drejtorisë së Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj, duke folur për miratimin e buxhetit të shtetit për vitin 2023, ka thënë se po synohet të barten mjetet vetanake të komunave
“Po tentohet heshturazi që komunave t’u merren të hyrat vetanake të pashpenzuara nga vitet paraprake. Miratimi i amendamentit ka qenë falso sepse ka një pjesë tekstuale ku thuhet se të hyrat ju merren komunave. Është hequr vetëm pjesa ‘vitet paraprake’ dhe ka mbet vetëm 2022”, tha Abazaj në Klan Kosova
Ai shtoi se Ligji për Buxhetin mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Qeveria po do që ta prodhojë një krizë të re. Në momentin që ligji shkon në Kushtetuese dhe vendi do të mbetet pa buxhet”, tha Drejtori i Drejtorisë së Financave në Komunën e Pejës.
Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë buxhetin 2023 në vlerë prej 3.21 miliardë euro.Ligji mbi ndarjet buxhetore ka kaluar në lexim të dytë me mbështetjen e 65 deputetëve, aq sa edhe ishin pjesëmarrës në sallë.
