Qeveria lakmon konsensusin e 2016’ës të BE-së ndaj Kosovës, pa pasur as pajtim për heqjen e sanksioneve - NACIONALE

Qeveria lakmon konsensusin e 2016’ës të BE-së ndaj Kosovës, pa pasur as pajtim për heqjen e sanksioneve

1 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Konsensus s’ka as për heqjen e sanksioneve, ndërsa Qeveria e Kosovës kërkon konsensus për marrjen e statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në këtë kundërthënie e gjeti veten i ngarkuari i parë me çështje të integrimeve evropiane, Besnik Bislimi, i cili gjatë vizitës në Poloni kërkoi nga Varshava “rol vendimtar” që Kosovës t’i ofrohet pyetësori/formulari.

Kjo pasi që Polonia pritet të merr Presidencën e Këshillit të BE-së ndërsa aplikimit të Kosovës – të patrajtuar – i është trashur pluhuri në sirtarët e Brukselit.

Presim që Polonia të luajë rol vendimtar gjatë presidencës së saj (të Këshillit të BE-së)...që t’i bind vendet që Kosova të marrë pyetësorin (për të marrë statusin e vendit kandidat për BE)”, tha Bislimi në “TVP World”.

Këtu Bislimi u pyet për atë se si paramendojnë të kapërcejnë pengesën e një pentagoni shtetesh mosnjohëse në BE: i.e pesëshen – kur në union vendimet merren me unanimitet.

Bislimi lakmoi 2016’ën: përkatësisht mënyrën e arritjes së pajtimit të përgjithshëm (konsensusit) kur edhe pesë shtetet mosnjohëse votuan për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit – kontrata e parë mes Kosovës shtet dhe Bashkimit Evropian.

Në vitin 2016 të gjitha vendet e BE-së ishin në gjendje të ndërtonin konsensus (pajtim të përgjithshëm) në lidhje me dallimet që kishin për mosnjohjen e Kosovës, si konsensus për ta lejuar Kosovën të ec para në rrugën e BE-së”, u shpreh Besnik Bislimi.

Dhe, ky konsensus na ndihmoi të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në që nënkuptonte që Kosova megjithatë mund të përmirësojë cilësinë e institucioneve të saj, që ekonomia mund të përmirësojë standardin e jetesës (...)”

"(...) dhe tash jemi në vitin e 8’të të zbatimit të saj; e që do të thotë që sot ne jemi shumë më mirë të përgatitur për të hapur kapituj (të anëtarësimit në BE) se sa cilido vend tjetër që ka hyrë në BE në këto 20 vitet e fundit...”

Kjo shënoi herën e parë eksplicite kur qeveria e tashme kosovare ia njohu arritjen qeverive të kaluara se pavarësisht pesëshesh mosnjohëse, paskëshin arritur tejkalimin e një obstruksion të madh në BE: i.e votën e Spanjës, Greqisë, Qipros, Rumanisë e Sllovakisë.

Por, qeveria kosovare s’ka arritur të gjenerojë as konsensus për heqjen e masave ndëshkuese – i.e term i përzbutur për sanksione – ndaj vendit, të vendosur tashmë qe një vit e gjysmë.

Ndonëse Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, rekomandoi heqjen e tyre, një numër shtetesh ishin në favor veç të heqjes së pjesshme dhe graduale, ndërsa disa të tjerë edhe për mbajtjen e tyre.

Këto qëndrime u riforcuan sidomos pas majit të këtij viti pas kursit të mbajtur nga qeveria në veri të vendit me mbylljen e disa institucioneve të administruara nga Serbia: për çka BE-ja kërkon që zgjidhja e tyre të jetë në kuadër të dialogut të Brukselit dhe përbrenda Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Heqjen e sanksioneve ndaj vendit, ambasadori francez, Oliver Guerrot e lidhi edhe me çështjen e mbajtjes së parakohshme të zgjedhjeve në veri të vendit: ku vazhdon të ketë kryetarë shqiptarë – legalë ndonëse me legjitimitet për së tepërmi të pakët.

Kemi diskutuar gjatë verës se nëse këto masa mund të hiqeshin, ishin disa veprime të pakoordinuara, të cilat patën efekt negativ në diskutimet tash”, tha Guerrot në Klan Kosova.

Franca është në favor të heqjen e pjesshme të masave, këtë e ndajnë disa, jo të gjithë hezitojnë, por nuk mund të parashoh nëse diskutimet mund të sjellin rezultat deri në fund të vitit”, tha Guerrot.

Lajme të ngjashme